Pamje: Haaland shënon golin e 34-të në Premierligë, barazon rekordin e Alan Shearer e Andrew Cole
Sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haaland, iu kanë nevojitur vetëm pak minuta në ndeshjen ndaj Fulhamit, për ta gjetur golin. Tani ai ka shënuar plot 34 gola në këtë sezon të Premierligës, që është i pari për të, kështu duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave të mbajtur nga legjendat, Alan Shearer dhe Andrew Cole.
Zhvillohej minuta e katërt e takimit, kur sulmuesi norvegjez konvertoi në gol penalltinë e akorduar për 1:0.
Vetëm Shearer dhe Cole kanë shënuar po aq gola në Premierligë, edhe atë në sezonet e largëta, 1993/94 respektivisht 1994/95.
Për Haaland, thyerja e këtij rekordi mund të jetë vetëm çështje minutash, por ai ka përpara edhe gjashtë ndeshje të Premierligës për ta bërë këtë, në sezonin e tij të parë në elitën angleze.
Teksa ka shënuar 34 gola në Premierligë, Haaland gjatë tërë sezonit me qytetarët tani me këtë gol të sotëm e çon numrin e golave në 50, në të gjitha garat.
*Fulham ka barazuar rezultatin në 1:1 me golin e Vinicius, në minutën e 15-të.