Pamje: Boksieri bullgar e lë pa ndjenja shqiptarin me nokaut brutal para meçit të Markut - NACIONALE

Pamje: Boksieri bullgar e lë pa ndjenja shqiptarin me nokaut brutal para meçit të Markut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Boksieri i ri shqiptar Amarildo Vraja e ka pësuar njërin prej nokautëve më shkatërruese nga duart e bullgarit Borislav Velev, në një luftë për titullin ndërkombëtar për të rinj në kategorisë gjysmë të mesme në WBC, të enjten në Tiranë.

Vraja mbeti pa ndjenja derisa po qëndronte në këmbë nga goditjet e rrufeshme të boksierit bullgar, të cilat kanë mundur t’ia rrezikonin jetën 21-vjeçarit, raporton Nacionale.

23-vjeçarit nga Sofia iu nevojitën më pak se një minutë në rundin e parë për ta nokautuar brutalisht tiranasin në një duel të kategorisë gjysmë të mesme në Air Albania para meçit kryesor të mbrëmjes mes Florian Markut dhe Ramirezit.

Vraja i kishte humbur ndjenjat derisa po përpiqej t’i bënte ballë goditjeve të njëpasnjëshme të Velevit, gjë që gjyqtari nuk u duk se e vërejti, duke mos ndërhyrë për ta ndërprerë luftën.

Tiranasi përfundoi i ulur pandjenja në dyshemenë e qoshes së ringut dhe mjeku e skuadra e tij vrapuan për t’u dalë në ndihmë.

Raportohet se Vraja është mirë tani dhe i vetëdijshëm, pas nokautit brutal.

Vraja është boksier i ri 21-vjeçar dhe kjo ishte vetëm lufta e tij e tetë në ring. Ai i kishte fituar të gjitha shtatë luftërat e kaluara.

Velev, ndërkohë, është një boksier më përvojë pak më të madhe se shqiptar dhe një rekord më të përkryer, pasi i ka fituar 11 prej luftërave në karrierën e tij deri tani.

Ndërkohë, në meçin kryesor të mbrëmjes në “Air Albania” në Tiranë, Florian Marku e mposhti boksierin meksikan Ramirez për ta fituar titullin e botës në kategorinë gjysmë të mesme WBC Silver.

Në një luftë goxha të barabartë dhe pavarësisht një nokdauni, Marku ia doli të fitojë me pikë pas 10 rundeve të plota në tokën e vetë.

Kjo ishte hera e parë që Marku luftoi në atdheun e vet dhe ai nuk i dëshpëroi 20 mijë tifozë në stadiumin e mbushur të Tiranës.

Lajme të ngjashme