Florian Marku e mposht Ramirezin për ta fituar titullin ndërkombëtar WBC Silver - NACIONALE

Florian Marku e mposht Ramirezin për ta fituar titullin ndërkombëtar WBC Silver

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Florian Marku është kampion i kategorisë WBC Silver Interim. Ai arriti ta fitojë meçin ndaj Ramirez pas 10 raundeve me pikë nga gjyqtarët e përballjes.

Kjo ishte ndeshja e parë në karrierë e Markut e zhvilluar në atdheun e tij, kështu duke u shpallur kampion në WBC në kategorinë e peshave gjysmë të lehta.

Raundi i parë filloi me një dominim të lehtë të boksierit shqiptar. Edhe pse gati të gjitha goditjet përfundonin të dorëzat e njëri-tjetrit, vetëm një goditje e Markut me të djathtën vlen të përmendet.

Në raundin e dytë, Marku siç e ka zakon filloi me ngacmimet e tij, duke tentuar ta fusë kundërshtarin në presion psikologjik. Edhe pse meksikani po godiste më shpesh, Marku u tregua më i saktë, sërish për t’i dhënë një goditje në fytyrë kundërshtarit.

Goditja më e mirë për Markun gjatë kësaj kohe erdhi në raundin e tretë me të majtën e fortë të tij. Ai vazhdoi me dominim në këtë raund duke lëshuar edhe disa goditje tjera.

Numërimi i parë në ndeshje erdhi në fillimin e raundit të katërt kur Marku e rrëzoi për toke Ramirezin, ndërsa ky i fundit u ankua duke thënë se ishte rrëshqitje.

Marku gjatë këtij raundi kishte probleme me gjakderdhje në ballin e tij, por që për fat të mirë ai ishte në gjendje të vazhdonte meçin.

Gjaku që po rridhte e pengonte boksierin shqiptar edhe gjatë raundit të pestë dhe këtë më së miri e shfrytëzoi meksikani duke e sulmuar vazhdimisht, por sërish këtë tre minutësh e përfundoi më mirë Marku me dy goditje të kombinuara në kokë dhe trup.

Meksikani ishte më aktiv në raundin e gjashtë, por në fund të kësaj periudhe ai u dok si boksieri më i lodhur në ring.

Meksikani në raundin e shtatë për shkak të ndeshjes jashtë rregullave u dënua me minus një pikë, teksa Marku lëshoi një goditje të fortë drejt tij për ta mbuluar në gjak.

Raundi më i dobët i Markut ishte ai i teti, këtu ai u nokautua dhe numërimi i gjyqtarit filloi menjëherë, por Marku u ngrit.

Raundi i parafundit i ndeshjes i takoi Markut, edhe pse e filloi ngadalshëm pas atij nokauti të pësuar.

‘Mbreti Shqiptar’ mori shumë mirë vetën në raundin e fundit duke lëshuar disa goditje të mira, edhe pse ai vazhdonte të godiste fort, meksikani nuk rrëzohej.

Kështu pas 10 raundeve erdhi epilogu final, Marku kampion në atdheun e tij në arenën Air Albania në Tiranë.

Kjo ishte ndeshja e 13 për Florian Markun, dhe fitorja e 12 krahas një barazimi, duke vazhduar rekordin e tij pa humbje.

Ndërsa Ramirez u desh të pajtohej me humbjen e tretë në karrierë krahas 21 fitoreve.

Lajme të ngjashme