Pak orë deri në fillimin e Lojërave Olimpike, nëntë garues nga Kosova në garë për medalje në Paris 2024
Shumë pak orë na ndajnë nga ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Paris 2024, aty ku nëntë garues nga Kosova do të garojnë për medalje.
Ceremonia hapëse pritet të jetë një nga ngjarjet më të paharrueshme në histori të Lojërave Olimpike, pasi për herë të parë kjo ceremoni nuk do të bëhet brenda stadiumit, por në zemër të qytetit, përgjatë arteries kryesore të njohur si Seine, që është një lum mbi 700 kilometra i gjatë.
Pra, 10500 atletët pjesëmarrës do të kalojnë nëpërmjet lumit për të bërë sfilatën e zakonshme te Lojërave Olimpike, ku varkat do të jenë të pajisura me kamera.
Kjo ngjarje pritet të fillojë rreth orës 19:30.
Atletët do të jenë zemra dhe shpirti i ceremonisë. Duke u hapur me paradën e sportistëve, Paris 2024 po thyen traditën. Atletët do të shfaqen në skenë gjatë prezantimit dhe gjatë gjithë ceremonisë si pjesë e synimit të vazhdueshëm të Paris 2024 për të zhvilluar Lojëra të krijuara për dhe nga atletët.
Për Kosovën do të jenë nëntë garues në Lojërat Olimpike të Paris 2024, si asnjëherë më parë, që rritë gjasat për më shumë medalje.
Sporti i Xhudos është kryesori, ku kemi pesë sportistë, të cilët janë: Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Loriana Kuka dhe Nora e Akil Gjakova, me këta të fundit që do ta mbajnë flamurin në parakalim me varka.
Donjeta Sadiku do të garojë në boks, Gresa Bakraçi në 800 metra vrapim, ndërsa Adell Sabovic dhe Hana Beiqi në sportin e notit, përkatësisht në stilin e lirë 100 dhe 50 metra.
Donjeta Sadiku do të jetë garuesja e parë kosovare që del në garë, ku ndeshja e saj është nesër me fillim nga ora 21:00. Ajo do të përballet me Thamanya Somnuek nga Tajlanda, në kategorinë deri në 60 kilogram.