Pak ditë pasi u akuzua nga Mourinho për tradhti, ylli i Romës kërkohet nga Juventus
Juventus dëshiron të përforcohet në afatin kalimtar të janarit. Klubi torinez ka vurë në shënjestër Rick Karsdorp, yllin e Romës që tërthorazi u akuzua nga Josè Mourinho për “tradhti” në ndeshjen kundër Sassuolos.
Mourinho publikisht kërkoi që ai lojtar që “tradhtoi” skuadrën e tij në ndeshjen kundër Sassuolos në mesjavë që përfundoi 1:1, ta gjejë një ekip të ri në janar.
Të gjitha indiciet çojnë te Karsdorp. Mediet italiane nuk kanë dyshim për këtë gjë. Kështu, duke parë gjithë këtë situatë të pakëndshme që po mbizotëron me ylli holandez, Juventus është duke e vëzhguar me kujdes tërë këtë zhvillim.
Sipas “Gazzetta Dello Sport” klubi torinez është i gatshëm që t’ia paraqesë Romës një ofertë për t’i siguruar shërbimet e mbrojtësit të djathtë.
Juventusi dëshiron që në afatin dimëror të përforcohet me dy lojtarë duke pikëtuar lojtarët e dy klubeve nga Roma: Savic te Lazio dhe Karsdorp te Roma.

Në bazë të informatave që ka siguruar gazeta italiane, Roma nuk dëshiron të zbresë nga një çmim që ia ka caktuar lojtarit: 17 milionë euro.

Megjithatë, shumë vështirë parashihet që të arrihet një marrëveshje në të tilla shifra. Një mes i artë llogaritet se mund të jetë formula e huazimit me detyrim për ta blerë lojtarin më pas në qershor.
Agjenti i Karsdorp kërkon sqarime nga Roma
Agjenti i Rick Karsdorp, Johan Henkes, ka reaguar një ditë pasi Josë Mourinho sipas shtypit italian e kishte me mbrojtësin holandez kur aludoi në një“tradhtar” brenda ekipit. Agjenti i lojtarit ka kërkuar sqarime nga klubi.
“Jam i befasuar me fjalët e Mourinhos. Dua një shpjegim. Jemi të habitur si të gjithë bëjnë me gisht drejt Rick, pa ia përmendur emrin Mourinho apo vetë klubi. Duam një shpjegim nga klubi për fjalët e trajnerit”, nënvizoi Henkes.
Duke folur për gazetën holandeze “Nos” ai tha se e ka penguar shumë edhe mënyra se si e ka bërë atë deklaratë trajneri portugez.
“Shpjegim duam edhe për mënyrën se si u deklarua trajneri”, tha ai.

Henkes gjithashtu u ankua se kjo nuk është mënyra e duhur për ta trajtuar një lojtar: “Nuk trajtohet kësisoj një lojtar që ka luajtur për pesë vjet te Roma.”
Josë Mourinho arriti ta zhvendosë vëmendjen nga rezultatet e brishta të ekipit të tij në kampionat, duke e sajuar një temë, ku flitet për "tradhtinë" e një lojtari, e që të gjitha indiciet po shpijnë te Karsdorp.
Vazhdimisht mbrojtësi i djathtë është kritikuar për paraqitje të dobëta. Ai asnjëherë nuk ka arritur që ta arsyetojë besimin e klubit dhe të trajnerëve që kanë stërvitur atë në këtë fazë kohore prej që është transferuar në ekipin kryeqytetas italian nga Feyenoord më 2017 për 16 milionë euro.

