Oleksandr Usyk kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda, e rrah keq Tyson Furyn
Oleksandr Usyk me vendim të ndarë të gjyqtarëve shpallet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda, pasi arriti ta rrahë Tyson Furyn, në të ashtuquajturin 'Meçi i shekullit', që u zhvillua në Riad të Arabisë Saudite.
Fury që mbante një rrip, e në anën tjetër Usyk me titujt tjerë në krahë, prodhuan një përballje fantastike.
Ukrainasi është kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda që nga viti 2000.
Dy gjyqtarë votuan për Usyk, ndërsa një tjetër për Furyn, për t'ia dhuruar atij titullin kampion i padiskutueshëm me vendim të ndarë të gjyqtarëve.
Përmbledhje e 'Meçit të shekullit'
Raundi i parë: Oleksandr Usyk merr raundin e hapjes me forcën e goditjeve të tij në trup. Usyk e mbylli raundin e parë me epërsi 10-9.
Raundi i dytë: Ashtu si i pari, edhe raundi i dytë i takon Usykut, që me disa goditje të bukura me kombinime e çon epërsinë në 20:18.
Raundi i tretë: Fury gjen ritmin tani me goditjet e tij të forta. Tani rezultati 29:28.
Raundi i katërt: Fury barazon gjithçka, e kthen ndeshjen në nivel, tani rezultati 38:38.
Raundi i pestë: Tashmë gjithçka në duar të Tyson Furyt, del në epërsi për herë të parë, kombinime të bukura nga ai.
Raundi i gjashtë: Raundi më i mirë i britanikut deri më tani, dy pikë epërsi për të kur kanë kaluar gjashtë raunde.
Raundi i shtatë: Pas katër raundeve dominim nga Fury, Usyk shfaq shenja ringjallje, goditje të bukura, raundi fitohet nga ukrainasi.
Raundi i tetë: Usyk përsëri më i mirë në ring, kombinime të mira nga ai, tani vetëm dy pikë para Fury.
Raundi i nëntë: Raund fantastik nga Usyk, gjyqtari e shpëton Furyn me numërim të sekondave, tani gjithçka e barabartë.
Raundi i 10-të: Usyk përsëri fantastik, e rikthen epërsinë për herë të parë që nga raundi i katërt.
Raundi i 11-të: Ukrainasi bën presion, gjithçka që i duhet për ta fituar ndeshjen, Fury nuk po këndellet. Epërsia në dy pikë për Oleksandr Usyk.
Raundi i 12-të: Raundi i fundit i takon Usykut. Goditje të mira nga ai, që patën kundërpërgjigje të Furyt, por në përgjithësi raund që i takon ukrainasit.
Tyson Fury tani ka pësuar humbjen e parë në karrierë, krahas 34 fitoreve dhe një barazimi, kështu duke humbur mundësinë për t'u cilësuar si një nga bokserët më të mirë të gjeneratës.
Në anën tjetër, OIeksandr Usyk shkon në 22 fitore, duke i shtuar vetes rripin e vetëm që i mungonte dhe për të fituar titullin e parë në karrierë si kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda.
Një duel mes këtyre dyve u premtua pas përballjes së sotme. Usyk iu përgjigj pozitivisht ftesës së Furyt për një përballje të dytë.