Nxirren të vdekura edhe 4 volejbolliste nga rrënojat e tërmetit në Turqi - NACIONALE

Nxirren të vdekura edhe 4 volejbolliste nga rrënojat e tërmetit në Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Volejbollit e Turqisë (FVT) ka njoftuar se edhe katër volejbolliste kanë vdekur nga tërmeti tragjik që e goditi Turqinë javën e kaluar

Gözde Öztürk , Dilek Mucuk , Ahsen Baş dhe İrem Kurtoğlu, lojtare të klubit të volejbollit Rasus Kimya Hatay, i cili bën gara në Ligën e Dytë të volejbollit të grave në Turqi, u vranë nga tërmeti i cili i goditi 10 provinca në Kahramanmaras.

Në një komunikatë për media, FVT-ja njoftoi: “Me pikëllim të thellë e morëm lajmon se lojtaret e Rasus Kimya Hatay Gözde Öztürk , Dilek Mucuk , Ahsen Baş dhe İrem Kurtoğlu vdiqën në fatkeqësinë e tërmetit. Zoti pastë mëshirë ndaj atletëve tanë dhe qytetarëve që humbën jetën, mbi familjet dhe kombin tonë”.

Numri i volejbollisteve të vdekura nga tërmeti i 6 shkurtit ka shkuar në gjashtë tani.

Ditë më parë, Ceren Akman dhe Elçin Çınar ishin gjetur të vdekura nën rrënojat e tërmetit.

Tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh mëngjesin e hershëm të 6 shkurtit, i cili i ka vrarë mbi 38 mijë njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 31.643, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 5.700 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Tmerri i tërmetit të fuqishëm në Turqi i ka prekur edhe futbollistët në këtë vend, pasi raportohet se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja dhe disa të tjerë janë lënduar.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme