"Nuk shpenzuan, apo jo?" - Pep Guardiola e thumbon Manchester Unitedin
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e ka thumbuar klubin fqinj dhe rival Manchester United, për shpenzimet e tyre, pasi ata i dhanë fund një pritjeje gjashtëvjeçare duke e fituar Kupën e Ligës – Carabao Cup.
Guardiola i ka fituar hiç më pak se nëntë trofe gjatë kohës derisa Unitedi po priste për ta fituar një trofe, përfshirë katër tituj në Premierligë dhe katër në Kupë të Ligës.
Trajneri spanjoll e uroi Unitedin për fitoren kundër Newcastle në finalen e së finales – një rezultat që mund të jetë shenj për gjëra më të mëdha për Unitedin në vitet në vijim nën udhëheqjen e Erik ten Hag – por nuk mundi të durojë pa e thumbuar atë për çështje financiare.
Shpesh është dukur sikur Guardiola është bezdisur nga qëndrimet e kritikeve kur City ka fituar trofe se ky sukses i tij vinte si pasojë e shpenzimeve të mëdha në lojtarë që ky klub i bën.
Duke folur në një konferencë për media të martën, Guardiola tha: “Urime Unitedit për fitimin e Carabao Cup dhe për Newcastle po ashtu – ndeshja ishte zbavitëse. Herët e vonë duhet të ndodhë, apo jo? Duhet të ndodh. Mirë se vini”.
I pyetur nëse Unitedi tani mund të futet fuqishëm në garë për titull në Premierligë, Pep u përgjigj: “Nëse shpenzojnë pak më shumë para, po! S’ka ndodhur sepse nuk kanë shpenzuar, apo jo?”
“Është normale. Unitedi duhet të jetë aty. Kemi qenë gjithmonë kundërshtarë dhe në sezonet e kaluara ne ishim më të mirë, por tani është më e përafërt. Çdo gjë mund të ndodhë në Premierligë”.
Derisa Guardiola me kënaqësi i uroi mirëseardhje Unitedit në krye të tabelës së futbollit anglez, ai prapëseprapë e talli atë për titullin e fituar së fundmi.
“M’u kujtohet kur udhëtuan për ta fituar trofeun e parë Carabao Cup, të gjithë ishin shumë të ngazëllyer. Për stafin ishte diçka e re, për lojtarët diçka e re”.
“Kur udhëtuam për herë të katërt për ta fituar Carabao Cup për herë të katërt radhazi, ishte, ‘Epo, në rregull, një tjetër trofe, një tjetër ditë pune’”, shtoi ai.
City do të përballet sonte me Bristol City në rrehtin e pestë në FA Cup.
