Nuk mjafton goli i bukur i Vedat Muriqit, Real Betis triumfon ndaj Mallorcas
Mallorca ka zhvilluar lojë të bukur ndaj Real Betisit, por mysafirët arkëtuan pikët e plota në sfidën e vlefshme për xhiron e dytë në La Liga.
Real Betis fitoi me rezultat të ngushtë 1:2, sfidë ku shënoi edhe ylli kosovar Vedat Muriqi.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, nga një ndërhyrje brenda zonës, VAR-i akordoi 11-metërsh nga e cila nuk gaboi Borja Iglesias (9').
Dy skuadrat më pas kërkuan golin e radhës, por që nuk i finalizuan aksionet e shumta, kësisoj kjo pjesë përfundoi me rezultat 0:1.
Në pjesën e dytë, Mallorca e nisi shumë më mirë duke pasur edhe posedimin e topit. Nga një aksion i shkëlqyer, Kang-In Lee për mrekulli gjeti Vedat Muriqin, i cili me kokë ishte i pagabueshëm duke mos i dhënë asnjë shans portierit për të barazuar rezultatin në 1:1.
Për kosovarin ky ishte goli i parë në La Liga që prej rikthimit si futbollist i Mallorcas.
Lovely goal this was by Vedat! 😍pic.twitter.com/1rDQGaGJZ0
— Kosovan Football 🇽🇰 (@kosovanfooty_EN) August 20, 2022
Ndërkohë, pavarësisht që vendasit u motivuan dhe tifozët nuk ndaleshin në brohoritje, ishin prapë mysafirët që gjetën rrugën drejtë rrjetës.
Dhe atë në mënyrë të njëjtë e nga i njëjti lojtar. Një tjetër ndërhyrje bëri që arbitri të akordojë penallti, ku prapë Borja Iglesias nuk i dha asnjë shans portierit duke gjuajtur në korner të djathtë të portës (73').
Në minutat e mbetur, Mallorca provoi të barazonte rezultatin por që mbrojtja mysafire ishte në vendin e duhur duke mos lejuar befasi.
Kështu, Real Betis arkëton pikët e plota në xhiron e dytë duke u bërë lider në La Liga me gjashtë pikë të mbledhura, derisa Mallorca bie në pozitën e 13-të me një sosh.
Në xhiron e radhës, skuadra e Muriqit do të jetë mysafir i Rayo Vallecanos, derisa Bilbao do ta pres Osasunan në shtëpi.