Nuk dorëzohet Batatina: S'kishim fat, Llapi gjithmonë do të luftojë për Evropë - NACIONALE

Nuk dorëzohet Batatina: S'kishim fat, Llapi gjithmonë do të luftojë për Evropë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Llapi pësoi humbje 1:0 kundër Ballkanit në finalen e Superkupës së Kosovës, që sot u zhvillua në Antalya të Turqisë. Tahir Batatina u shpreh i sigurt se gjithmonë do të vijojnë t’i ndjekin pozitat që shpijnë në Evropë.

Ballkanit i mjaftoi një gol i shënuar në minutën e 62-të me kokë nga Lumbardh Dellova për t’iu gëzuar trofeut të parë sezonal, gjegjësisht atij të Superkupës së Kosovës. Për trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, paraqitja e lojtarëve të tij ishte shumë e mirë, duke theksuar se gjithnjë do të luftojnë për Evropë.

“Dy skuadrat kanë cilësi. Dimë të bëjmë lojë të mira. Fati nuk ka qenë me ne, por prapë treguam karakter dhe lojë. Llapi do të luftojë gjithmonë për Evropë”, tha ai.

Në vazhdim të prononcimit pas fundit të ndeshjes, Batatina po ashtu sqaroi se të luajturit me një lojtar më pak, pas përjashtimit nga loja me kartonin e dytë të verdhë të Bekim Maliqit në minutën e 28-të, i shkaktoi një goditje në vete ekipit të tij.

“Gati 70 minuta luajtëm me një lojtar më pak. Përndryshe kemi pasur mundësi që të shënonim edhe gol. Ishte një lojë e luftuar nga të dy skuadrat”, shtoi ai.

Sidoqoftë, trajneri llapjan shprehi qartë edhe cili është synimi i klubit për pjesën e dytë të sezonit: “Ballkanit ia uroj fitoren dhe shpresoj që do të jemi në treshen e parë të Superligës së Kosovës."

Kështu, Llapi dështoi që ta mbrojë statusin e kampionit në Superkupën e Kosovës, pasi një trofe të tillë e kishte fituar gjatë edicionit të kaluar.

Lajme të ngjashme