Kacafytje e shkelma: Si përfundoi me tension finalja e Superkupës së Kosovës? - NACIONALE

Kacafytje e shkelma: Si përfundoi me tension finalja e Superkupës së Kosovës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak sekonda para se të përfundonte finalja e Superkupës mes Ballkanit dhe Llapit, ku therandasit triumfuan me rezultat 1:0, futbollistët e të dy skuadrave filluan t’i qëronin hesapet, duke krijuar një rrëmujë të vërtetë.

Kur kronometri shënonte minutën e katërt shtesë, aq sa kishte akorduar gjyqtari i ndeshjes, gjërat filluan të tensionoheshin në fushë.

Ishte Rivera ai që goditi me shkelm Dellovën pas një dueli në gjysmëfushë. Pastaj vrapoi shpejt Emërllahu, mesfushori i ri i Ballkanit dhe përfaqësuesi kosovar, për t’i dalë në ndihmë bashkëlojtarit të tij.

Nga këtu filluan kacafytjet mes një pjese të lojtarëve të dy skuadrave, që zgjatën disa sekonda. Më pastaj u futën në fushë edhe pjesëtarët e bankinave respektive, duke u përpjekur që ta shtensionin gjendjen.

Për shkak të një regjie aspak profesionale, që la shumë për të dëshiruar, nuk u kuptua se gjyqtari i ndeshjes kë e përjashtoi nga loja me karton të kuq për shkak të këtij incidenti që ndodhi, pasi menjëherë që rifilloi loja, gjyqtari fishkëlleu fundin e takimit.

Gjithsesi, për Ballkanin mjaftoi goli i shënuar me kokë në minutën e 62-të nga Lumbardh Dellova, pasi u shërbye mjaft mirë nga Armend Thaqi, që ekzekutoi për mrekulli këndoren nga ana e djathtë e fushës.

Kështu, Ballkani konfirmoi këtë fitore, që ia mundësoi fitimin e trofeut të parë për sezonin e sivjetëm dhe - njëherësh – edhe të parin në historikun e saj të klubit kur flasim për Superkupën e Kosovës.

Kujtojmë se Prishtina prin brindshëm si klubi më i trofeshëm në këtë kompeticion, duke pasur plot 10 trofe të fituar në vitrinën e vet. Pas saj me nga 2 kupa pasojnë klubet si Besa, Feronikeli dhe Trepça ’89, ndërkaq me nga një kupë Besiana, Drita, Dukagjini, Gjilani, Hysi, KEK-u, Llamkos Kosova, Llapi dhe së fundi Ballkani.

Lajme të ngjashme