Nora Gjakova mbetet pa medalje në Paris Grand Slam 2024, mposhtet nga Jessica Klimkait për të bronztën
Nora Gjakova nuk ka arritur ta fitojë përballjen për medalje e bronztë në Paris Grand Slam 2024 në kategorinë deri në 57 kilogram, duke u mposhtur në finale të repesazhit nga garueseja nga Kanada, Jessica Klimkait.
Gjakova që ka munguar për disa vite në turneun e Parisit për shkak të lëndimeve, u kthye në formë, por disa momente i kushtuan asaj, duke e lënë pa medalje.
31-vjeçarja që momentalisht është e shtata e botës në renditje, garën e filloi nga raundi i dytë, ku luftoi me brazilianen, Jessica Lima, të cilën e mposhti me Ippon.
Në raundin e tretë përballë e kishte bullgaren Ivelina Ilieva, e cila e pati përfundimin si garuesja paraprake, pra duke u mposhtur me Ippon, çka ia mundësoi Norës kalimin në çerekfinale.
Gjakova pësoi humbje në 1/4 e finales, kur u mposht nga Sarah Leonie Cysique, por beteja për medalje nuk përfundoi këtu për të, pasi siguroi një vend në repesazh.
Përballja e parë për medalje të bronztë ishte ndaj italianes, Veronica Toniolo, të cilën e mposhti me shumë lehtësi, me një lëvizje të quajtur Osaekomi, ku e mbajti për 20 sekonda të mbështjellur, për ta çuar në Ippon.
Në finale të repesazhit, Nora Gjakova u përball me numrin dy të botës, Jessica Klimkait, kjo e fundit triumfoi me një Waza-ari, kështu duke fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogram në Paris Grand Slam 2024 dhe duke e lënë Norën pa asgjë.

Kujtojmë se në kategorinë e njëjtë luftoi edhe Flaka Loxha, e cila fitoi përballjen e raundit të dytë, por u eliminua në raundin e tretë.