Një lojtar drejt debutimit me Kosovën, priten ndryshime edhe në mesfushë - NACIONALE

Një lojtar drejt debutimit me Kosovën, priten ndryshime edhe në mesfushë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova nesër zhvillon ndeshjen e tretë kualifikuese në Ligën e Kombeve përballë Irlandës Veriore. Gazeta Nacionale ka mësuar që Emir Sahitit dhe Florent Muslijës u janë rritur ndjeshëm gjasat për të zënë një vend titullari.

Burime të ndryshme i kanë bërë të ditur gazetës Nacionale që stafi teknik i Kombëtares së Kosovës po mendon t'i bëjë disa ndryshime në formacionin titullar. Të njëjtat burime kanë treguar që janë rritur ndjeshëm gjasat që Emir Sahiti të debutojë nga minuta e parë me fanellën dardane, pasi në dhjetor të vitit të kaluar e kishte pranuar ftesën e Kosovës për t'iu bashkuar asaj.

Gjithashtu, nga ajo që bëhet e ditur, pritshmëritë janë që edhe Florent Muslija të ketë minutazh nga fillimi i ndeshjes. Duket që Giresse nuk ka qenë tërësisht i kënaqur me atë çfarë ka dëshmuar mesfusha gjatë dy ndeshjeve paraprake.

Gazeta Nacionale merr vesh që edhe rreshtimi i formacionit të nesërm po planifikohet të jetë sulmues. Në rastin e Emir Sahitit, ai mund të përdoret në shumë pjesë të fushës, në veçanti në të dy krahët e sulmit ku di të alternohet, si dhe mbrapa sulmuesit nëse do të shkohet me formacionin 4-2-3-1 (sa i përket këtij detaji pikëpyetjet akoma mbeten evidente).


Emir Sahiti dështoi të merrte pjesë në grumbullimin e Kosovës gjatë marsit për shkak të një lëndimi të lehtë që kishte pranuar me skuadrën e tij, Hajduk, vetëm pak ditë më herët. Ai shfaqej i mërzitur që nuk mund të udhëtonte për ta ndihmuar kombëtaren e tij. Te Hajduku ai merr mbi supe shumë përgjegjësi, si ta zëmë ekzekutimin e të gjitha ndërprerjeve kur është në fushë.

Megjithatë, diçka të tillë ai do të mund ta bëjë nesër, nëse gjërat do të shkojnë kësisoj. Sahiti titullar është më shumë sesa ide në momentin e tanishëm që po flasim.

Në anën tjetër, për Florent Muslijën kishte pasur shumë reagime, pasi opinioni futbolldashës kërkonte që ai të luante titullar dhe kjo nuk ndodhi, meqë para tij u preferuan mesfushorët tjerë. Me shumë gjasa dhe sipas të gjitha indicieve që ka siguruar gazeta Nacionale, Florent Muslija do të rikthehet në formacionin bazë për ta luajtur një rol të rëndësishëm, në një ndeshje të rëndësisë jetike siç është ajo me Irlandën Veriore, e cila në rast të një fitoreje mund ta rikthejë bindjen dhe ta rrisë moralin e lojtarëve dhe tifozëve, se, megjithatë, renditja në pozitën e parë në grup është akoma e mundur.

Tani mbetet në duart e përzgjedhësit Giresse që të vendosë se si të procedojë tutje. Për Kosovën është detyrim i pastër që të dalë me tri pikë të plota nesër. Nuk ka mes tjetër të artë. Çdo rezultat përveç fitores do ta vendoste Kosovën në një pozitë të disfavorshme, ku ecuria do t'i cënohej së tepërmi që në fillim të fushatës kualifikuese për Ligën e Kombeve.

Lajme të ngjashme