Një javë pas, FFK-ja Statutin e ri as s’e ka publikuar e as s’e ka çuar për licencim, klubet nën ethe
Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e ka publikuar Statutin e vet të ri në uebsajtin zyrtar të federatës, megjithëse ka kaluar një javë qëkur ai u miratua midis polemikave dhe pakënaqësive – që është një shenj tjetër e mungesës së transparencës dhe seriozitetit të drejtuesve të saj.
Gazeta Nacionale merr vesh se shtëpia e futbollit ende nuk e ka dërguar as në Komisionin Vlerësues për Licencim në Ministrinë e Sportit këtë Statut, i cili është ndër kushtet që ajo duhet patjetër t’i plotësojë për licencim.
FFK-ja e miratoi Statutin e ri, i cili do ta zëvendësojë atë nga viti 2017, të premten e kaluar më 27 janar, në një kuvend të jashtëzakonshëm ku mediat nuk u lejuan sërish.
Megjithëse ka kaluar kohë prej shtatë ditëve që prej miratimit të tij, Statuti nuk është askund në uebsajtin zyrtar dhe të vetëm të FFK-së.
Nëse e kërkon Statutin e FFK-së në faqën e saj zyrtare, atëherë aty ende e gjen Statutin e vjetër që nuk është më në fuqi.

Për më tepër, ai nuk është dërguar në Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që nënkupton se procesi i licencimit të FFK-së do të vazhdojë të zvarritet dhe nga kjo më së keqi do ta pësojnë klubet e futbollit.
Klubet e futbollit janë nën ethe për të ardhmen e tyre, sepse mungesa e një licence nga FFK-ja, pjesë e së cilës janë, nënkupton se ato do të thellohen në telashe financiare në prag të rifillimit të sezonit këtë fundjavë.
Futbolli në vend rikthehet nesër me ndeshjet e rrethit të katërt të Kupës së Kosovës.
Klubet kanë humbur të hyra të rëndësishëm në muajt e fundit, pasi nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ligji për sponsorizim derisa FFK-ja të marrë licencë veprimi.
Statuti i ri dyshohet se nuk është plotësisht në përputhje me ato model të FIFA-s dhe UEFA-s dhe me kushtet e Komisionit Licencues, prandaj edhe kjo mund të jetë arsyeje e mospublikimit të tij. Edhe pse, FFK-ja ka treguar viteve të fundit nën udhëheqjen e Agim Ademit se di të jetë tejet jotransaparente.
Statuti i ri u kundërshtua nga klubet kryesore në vend, si Prishtina, Drita dhe Trepça ’89, të cilat u ankuan se nuk ishin konsultua paraprakisht po ashtu, meqë janë pjesë përbërëse e federatës.
Po ashtu, UEFA, përmes përfaqësuesit të vet në kuvendin e 27 janarit, kërkoi që Statuti i miratuar të pësojë ndryshime të rëndësishëm dhe të harmonizohet edhe më shumë me modelin e shtëpisë së futbollit evropian.
