Një fitore në 13 ndeshjet e fundit, Man City ndalet me barazim nga Evertoni
Manchester City nuk po arrin të këndellet assesi. Qytetarët tani kanë barazuar 1:1 me Evertonin.
Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar vetëm një ndeshje nga 13 përballjet e fundit.
Kampioni në fuqi i Premierligës e dominoi tërësisht takimin, si në raste, ashtu edhe në posedim, por që mungoi konkretizimi i rasteve, madje u humb edhe një penallti.
Bernardo Silva realizoi herët. Zhvillohej minuta e 14-të kur Doku asistoi dhe portugezi çoi topin në rrjetë për 1:0.
Por, Evertoni pati një kundërpërgjigje. Sulmuesi senegalez Iliman Ndiaye barazoi shifrat në minutën e 36-të.
Me rezultatin 1:1 u mbyll pjesa e parë e takimit.
Qytetarët u hodhën në sulm krejtësisht në pjesën e dytë, duke kërkuar fitoren me ngulm.
Një penallti e fituar, nuk u konkretizua në gol nga Erling Haaland në minutën e 53-të, goditja e të cilit u ndal nga portieri Pickford.
Në këtë takim minuta pati për Armando Brojën te Evertoni, që u inkuadrua në minutën e 70-të.
Ndryshim në rezultat nuk pati deri në përfundim të takimit, me Manchester Cityn që ndalet sërish.
Man City momentalisht mbanë vendin e gjashtë në Premierligë me 28 pikë nga 18 ndeshje, pozitë që rrezikohet seriozisht nga kundërshtarët tjerë që zhvillojnë ndeshjet në Boxing Day.