Një ditë para fillimit të Botërorit, Messi vazhdon të bëjë stërvitje të diferencuara
Lionel Messi është në qendër të vëmendjes te të gjithë futbolldashësit në Botërorin e tij të fundit që do ta luajë në Katar.
Megjithatë, marrë parasysh një lëndim që e ka pësuar në PSG gjatë javëve të fundit, ai akoma është duke bërë përpjekjet që të rikuperohet në tërësi për të qenë gati për ndeshjet e para të ekipit të tij kombëtar në Botëror.
Një ditë para fillimit Botërorit, mbetet për t’u vlerësuar gjendja fizike e Lionel Messit.

“El Mundo Deportivo” raportoi se ylli argjentinas ka vazhduar të bëjë stërvitje të diferencuara edhe sot.
Gjithë kjo shkon në vazhdën e një programi specifik që po ndjek ai në koordinim me stafin mjekësor të ekipit për t’u shëruar tërësisht nga lëndimi i fundit që ka pësuar në këmbë.
Argjentina është pjesë e Grupit C së bashku me Poloninë, Meksikën dhe Arabinë Saudite.
Ndërkaq ndeshja hapëse për ekipin kombëtar argjentinas do të jetë më 22 nëntor (të martën) kundër Arabisë Saudite.
Lionel Messi do ta ketë mundësinë e fundit që të stoliset me trofeun më të çmuar në futboll, atë të Botërorit.

Ky është i vetmi trofe që i mungon në vitrinën tejet të pasur të tij. Ai vetë paralajmëroi para disa javësh që ky i sivjetmi do të jetë Botërori i fundit që do ta luajë.
Shpresat që Messi ta fitojë Botërorin
Luis Enrique ka mbajtur konferencën e radhës për medie në prag të fillimit të Kupës së Botës në Katar. Ai edhe foli rreth asaj se kush ka dëshirë që të triumfojë në këtë ngjarje madhore futbollistike.
Spanja nuk llogaritet në mesin e favoriteve absolute për të ngadhënjyer në Botërorin e sivjem, por Luis Enrique është shpresëplotë që të besuarit e tij do ta bëjnë më të mirën prej vetes.
Megjithëse, ai nuk ka mëdyshje për dëshirën që do kishte në rast se ekipi kombëtar spanjoll nuk do të mund të stolisej me trofeun më të çmuar.
“Nëse nuk do të mund ta fitonim ne Botërorin, do më pëlqente ta fitonte Argjentina”, shtoi ai.

“Shoh të padrejtë që një lojtar si Leo Messi të duhet të pensionohet nga futbolli pa fituar Kupën e Botës”, përfundoi Luis Enrique.
Shpresë dhe dëshirë të njëjtë kanë shfaqur edhe shumë akterë të tjerë të futbollit, nga ata trajnerë deri te lojtarët, të cilët njëzëri e shohin si një padrejtësi të llojit të vet që Messi të pensionohet nga futbolli pa një Botëror.

