Nis sezoni pranveror në Superligën e Kosovës, sot tri ndeshje interesante në program
Superliga e Kosovës rikthehet sot me javën e 19-të. Tri ndeshje interesante do të zhvillojen. Ato janë: Drenica – Llapi, Gjilani – Ferizaj dhe Malisheva – Ballkani.
Pas një pauze relativisht të gjatë, Superliga e Kosovës ngre siparin me javën e 19-të, e cila fillon sot me tri ndeshje që do të sjellin emocionet e veta.
Kampionët në fuqi do të luajnë në udhëtim kundër Malishevës. Pas ndryshimeve që kanë bërë në organikë, therandasit synojnë që ta ruajnë epitetin e kampionëve.
Në anën tjetër, Malisheva gjen veten të udhëhequr nga një trajner i ri, gjegjësisht i mirënjohuri Bylbyl Sokoli. Ambiciet e dy skuadrave janë asimetrike: njëra synon mbijetesën, kurse tjetra stolisjen si kampione.
Dy ndeshjet e para mes këtyre dy skuadrave në pjesën e parë të kampionatit kanë përfunduar në të mirë të Ballkanit. Ndeshjen e parë e fitoi 3:2 në udhëtim, kurse të dytën në Therandë me rezultat 2:1.
Gjilani i riorganizuar pret Ferizajn, që po kalon në vështirësi të pafundme, anipse me shumë zotime se do të ndryshojnë gjërat. Të besuarit e Zekirija Ramadanit do të bëjnë çmos që ta sigurojnë një vend në mesin e tre skuadrave më të mira në kampionat, duke pasur si qëllim daljen në Evropë.
Ferizaj është shum keq në tabelë, duke u pozicionuar e fundit. Si rrjedhojë, për të nga tani e tutje çdo ndeshje do të jetë një finale në vete.
Dy sfidat e para kanë prodhuar dy rezultate të ndryshme. Në ndeshjen e parë Gjilani ka fituar 3:2, ndërsa në atë të dytën epilogu ka qenë baras 1:1, në sfidën që është luajtur në Ferizaj.
Ndeshja e fundit që do të zhvillohet sot, por jo më pak e rëndësishme, është ajo mes Drenicës dhe Llapit. Pas vërshimeve të mëdha që kanë dëmtuar stadiumin “Bajram Aliu”, Drenica ka vendosur që këtë sfidë ta luajë në "Sami Kelmendi", respektivisht në stadiumin e Lipjanit.
Drenica e ka përfunduar dobët pjesën vjeshtore, me disa rezultate negative. E njëjta mund të thuhet edhe për Llapin sa i përket kampionatit.
Që të dyjat janë me pikë të barabarta, gjegjësisht 20 pikë dhe gjejnë veten vetëm një pikë larg zonës së mbijetesës. Bilanci në dy ndeshjet e para në këtë sezon ka qenë në të mirë të Llapit. 1:0 shënonte fitoren e parë në “Bajram Aliu”, kurse 3:2 në atë të kthimit në Podujevë.
Të gjitha këto sfida nisin në ora 13:00. Deri tani Drita është lidere në kampionat me 38 pikë, e pasuar nga Ballkani me pikët e njëjta. Ndërsa Prishtina zë pozitën e tretë me 27 pikë.

Po ashtu, edhe lufta për mbijetesë do të jetë mjaft interesant, meqë janë gjashtë skuadra që kanë dallim tejet të ngushtë të pikëve mes njëra-tjetrës.
