Neymari vendos për ta ardhmen, pas interesimit nga Newcastle
Neymari është i vendosur të qëndrojë në Paris Saint-Germain, edhe nëse miku i tij i ngushtë Lionel Messi largohet nga klubi si lojtar i lirë gjatë kësaj vere.
Superylli brazilian ka marrëveshje me kampionin francez deri në verën e vitit 2027, por për largimin e tij nga Parku i Princave është duke u përfolur që nga vera e kaluar.
Interesim për shërbimet e Neymarit së fundmi ka shprehur edhe Newcastle United, klubi i Premierligës që vjet u ble nga sheikët arabë.
Gazeta e përditshme franceze L’Equipe raporton se Neymari do të mbetet në PSG në të ardhmen e afërt – edhe pse klubi i ka ftuar klubet evropiane t’i kërkojnë shërbimet e tij duke e vënë atë në listën e shitjeve.
Kontrata e majme dhe dëshira e madhe për t’i dhënë fund pritjes së gjatë të klubit për ta fituar titullin e parë në Ligën e Kampionëve, nënkuptojnë se ai mund të rrijë në PSG deri në fund të kontratës.
Sulmuesi dëshiron të mbetet në Francë, edhe nëse miku i ngushtë dhe bashkëlojtari Messi vendos të largohet.

E ardhmja e Messit mbetet e paqartë, pasi argjentinasi ende nuk e ka ndarë mendjen a ta pranojë ofertën e PSG-së për vazhdimin e kontratës apo ta vazhdojë karrierën diku tjetër.
Sipas të përditshmes franceze, përfaqësuesit e Neymarit kanë këmbëngulur se lojtari gjithmonë e ka pasur për qëllim të qëndrojë në Paris deri më 2027, sidomos pasi e vazhdoi marrëveshjen më 2021.
Neymari pësoi një lëndim në nyje në fitoren e PSG-së 4:3 kundër Lille të dielën, dhe u detyrua ta braktisë fushën me lot në sy.
Ai tani është në garë me kohën për t’u riaftësuar tamam në kohë për ndeshjen e kthimit në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munich.
