Neymar: Vinicius Junior e meriton Topin e Artë
Ylli brazilian i Al Hilal, Neymar, beson se bashkëlojtari i tij te Brazili, Vinicius Junior, do ta fitojë Topin e Artë, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Real Madridin.
Vinícius, 23 vjeç, u emërua si lojtari më i mirë i sezonit në Ligën e Kampionëve 2023-24 të hënën pasi shënoi gjashtë gola në garën e këtij sezoni, duke përfshirë golin e dytë të Real Madridit në fitoren 2:0 kundër Borussia Dortmundit në finalen e së shtunës në Wembley.
Vinicius, i cili do të drejtojë sulmin e Selecaos në Kupën e ardhshme të Amerikës, gjithashtu regjistroi 13 gola teksa Real Madridi fitoi La Ligën.
“Sa i përket Vinit, padyshim që mendoj se Topi i Artë është i tij sot për sot”, tha Neymar.
“I dërgova mesazhe para dhe pas ndeshjes së finales së Ligës së Kampionëve. Ai është një djalë që e dua me pasion, një mik i madh që më dha futbolli. Ai me siguri do të kurorëzohet me Topin e Artë. Ai është i jashtëzakonshëm. Duke mbajtur flamurin e vendit tonë në mbarë botën dhe ne me të vërtetë jemi pas tij."
Braziliani i fundit që fitoi Topin e Artë ishte Kaka i Milanit në 2007.
Neymar, 32, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit, ka qenë shpesh një pretendent për çmimin prestigjioz individual, por nuk e ka fituar kurrë.
Më e afërta me të ishte një vend i tretë në 2015 pas fituesit Lionel Messi dhe nënkampionit Cristiano Ronaldo.
Neymar është ende duke u rikuperuar nga një dëmtim i rëndë në gju që pësoi gjatë detyrës ndërkombëtare në tetor dhe mezi pret të rikuperohet plotësisht për të luajtur për kampionët saudit Al Hilal sezonin e ardhshëm.