Neymar: Më duhet të reflektoj, nuk jap garanci se do të luaj sërish në kombëtare
Eliminimi i Brazilit nga Botërori pas humbjes në penallti kundër Kroacisë, ishte vërtet i hidhur për brazilianët. Kështu u përjetua edhe nga Neymar, i cili e la të hapur mundësinë e pensionimit nga kombëtarja.
Brazili ishte favoriti kryesor për të ngadhënjyer në këtë Kupë të Botës, por matematikat dhe pritjet e saj ia ndërpreu Kroacia.
Një eliminim i tillë në çerekfinale ka trazuar ujërat në shtetin amerikano-jugor. Ishte Tite ai që një menjëherë pas ndeshjes paralajmëroi se nuk do të jetë më përzgjedhës i kombëtares.

Mirëpo, edhe vetë ylli kryesor i “Seleçao”, Neymar, la të shtangur tifozët e kombëtares, duke thënë se nuk e di nëse do të luajë më me fanellën braziliane,.
“Mendoj se nëse flasim tani është e pavend. Do të ishte e nxitura po të thoja se e kam mbyllur kapitullin me kombëtaren, por nuk garantoj asgjë”, tha ai.

Një prononcim i tillë pas ndeshjes së djeshme ka futur në ethe tifozët brazilianë, të cilët duan me çdo kusht që beniamini i tyre të vazhdojë të jetë lider i kombëtares.
Neymar kërkon kohë për reflektim
Neymar ka kërkuar disa kohë për të reflektuar, në mënyrë që të arrijë në një përfundim se a është e nevojshme të vazhdojë t’i mbrojë akoma ngjyrat e fanellës të kombëtares së tij apo jo.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë tani e tutje. Më duhet të marr pak kohë për të menduar rreth ‘Seleçao’. Të mendoj se çfarë dua”, shtoi ai.
Dje Neymar shënoi golin e epërsisë për Brazilin në pjesën e parë të vazhdimeve kundër Kroacisë, por ai nuk doli të ishte i mjaftueshëm, sepse në minutën e 117-të Kroacia riktheu rezultatin në baraspeshë.
Sidoqoftë, 30-vjeçari siguroi se nuk dëshiron t’ia mbyllë dyert kombëtares së tij, por as të garantojë se do ta bëjë një rikthim me kombëtaren braziliane.
“Nuk i mbylli dyert, por as nuk them që 100% do të rikthehem”, sqaroi sulmuesi brazilian.

Dje falë golit që shënoi kundër Kroacisë, arriti që ta barazonte edhe rekordin e legjendës së futbollit, Pele. Neymar dje regjistroi golin e 77-të me Brazilin, po aq sa kishte shënuar edhe Pele. Një rekord që në fund kishte një shije të hidhur, marrë parasysh se Brazili nuk ia doli të kualifikohej tutje, përkundër se llogaritej favorit absolut.
Kështu, ky mund të ketë qenë edhe Botërori i fundit për sulmuesin e PSG. Ai ka fituar edhe shiritin e kapitenit gjatë viteve të fundit, duke u konsideruar një lider me plot kuptimin e fjalës.
Kujtojmë se Neymar shënoi dy (2) gola në tre (3) paraqitje në këtë Botëror. Së bashku me Vinicius JR dhe Casemiro, ishin lojtarët më në formë të “Seleçao”.

