Neymar: Jemi me fat që kemi Renato Sanchesin
Kur të gjithë ngapak kanë filluar t'i shigjetojnë kritika mesfushorit sulmues të PSG, Renato Sanches, në ndihmë i ka dalë bashkëlojtari i tij, Neymar.
Renato Sanches iu bashkua PSG gjatë afatit kalimtar veror të këtij viti. Me kontratën në skadim e sipër te Lille, ai luajti me dy karta deri në fund, pasi kishte dy mundësi që të transferohej: në Milan apo në PSG.
Zgjedhja e Sanchesit shkoi për PSG, por fillimi i edicionit të ri të kampionatit nuk ka qenë i lehtë për të. Ai ende nuk e ka fituar statusin e lojtarit titullar në skuadër, përkundër se Galtier e njeh mjaft mirë, meqë e ushtronte edhe në Lille gjatë kohës kur ishte trajner.
Për t'i dhënë paksa përkrahje dhe për ta inkurajuar, doli në sipërfaqe Neymar, i cili që tani ka thënë se është i kënaqur me cilësitë e 25-vjeçarit.
Neymar me fjalë të mëdha për Renato Sanchesin
Neymar nuk e kishte të qartë në disa periudha të kësaj vere nëse do të qëndronte në PSG apo jo, pasi drejtuesit e klubit linin të hapur mundësinë që mund të largohej. Tani që është konfirmuar si lojtar i parisienëve edhe për sezonin e ri, ai ka dhënë mendim në superlativ për Sanches.
"Më pëlqen shumë. Është një lojtar ndryshe nga të tjerë dhe shumë i mirë. Jam i lumtur dhe jemi fat ta kemi me ne. Ai mundëson që të përmirësohemi më shumë", deklaroi Neymar në një prononcim për DAZN.
PSG e ka nisur mirë sezonin e ri, duke fituar pesë nga gjashtë ndeshje në Ligue 1 dhe duke regjistruar një barazim, gjë që mundëson që PSG të jetë në krye të tabelës me pikë të barabarta me Marseillen.
Edhe në Ligën e Kampionëve PSG ka qenë në nivel të detyrës. Sanches në këto ndeshje nuk ka qenë titullar, duke luajtur si i tillë vetëm një herë. Gjatë herave tjera ai është inkuadruar në pjesën e dytë, duke pasur minutazh të vogël.
Sa i përket Neymar, sezoni i ri ka nisur mjaft mirë, ku vetëm në Ligue 1 në gjashtë javët e para ka shënuar shtatë gola, duke kontribuar edhe me gjashtë asiste tjera. Ai ishte protagonist i rëndësishëm edhe në fitoren kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve, ku u shqua me një përformancë të mirë, ndryshe nga vitin e kaluar ku ishte në shënjestër të kontestimeve nga tifozët e PSG dhe i gjithë shtypi francez, që e gozhdonin vazhdimisht me kritika.

