Newcastle United synon t'i jep fund pritjes 54-vjeçare për trofe, e duan Carabao Cup
Trajneri Eddie Howe thotë se tifozët e Newcastle Unitedit janë lodhur duke pritur që skuadra e tyre të fitojë trofe.
Hera e fundit kur një trofe u ngritë në "St James Park" ishte nga Joe Harvey në vitin 1969.
Sidoqoftë, Howe tani është optimist i madh që këtë edicion skuadra e tyre do të fitojë trofe, duke e bërë prioritet atë të Carabao Cup.
"Ne e kuptojmë që kjo ndeshje ka kuptim të veçantë. Carabao Cup tani është tejet e rëndësishme për ne. Ne do të luajmë me fuqi të plotë dhe të bëjmë gjithçka që mundemi që ta fitojmë".
Sa i përket këtij kompeticioni, Newcastle do të përballet me Leicester Cityn, skuadër që e mposhtën 3:0 në "King Power" këtë edicion në kuadër të Premierligës.
"Brendan është trajner me taktika shumë të mira. Psiqikisht do të ishte gjë e mirë për ne që të shkojmë në gjysmëfinale, vërtetë dua të kem një eksperiencë të tillë, por kemi një kundërshtar të fortë përballë".
"Fitorja në ligë ndaj Leicesterit na gëzon. Luajtëm mirë, por nuk ishte një ndeshje e mirë. Ne e kuptojmë kualitetin që kanë Leicesteri, duhet të jemi në formën më të mirë që t'i mposhtim. Duhet të jemi shumë të motivuar dhe na duhet energji reale nga të gjithë tifozët e pranishëm", deklaroi ai.
Ndeshja mes Newcastle dhe Leicesterit nis me fillim nga ora 20:45 ditën e enjte.