Neves: Aspak befasues lajmi se Ronaldo dëshiron ta luajë Evropianin 2024, të gjithë e njohim - NACIONALE

Neves: Aspak befasues lajmi se Ronaldo dëshiron ta luajë Evropianin 2024, të gjithë e njohim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ruben Neves, mesfushori i Wolves dhe njëherit bashkëlojtari i Ronaldos, ka folur rreth vendimit të këtij të fundit që të synojë të luajë edhe në Evropianin 2024.

Në shkurt të vitit të ardhshëm Ronaldo do t’i mbushë 38-vjet. Një moshë e konsideruar për të qenë ambicioz rreth objektivave për një futbollist aktiv.

Ronaldo deri më tani ka ditur ta ruajë një formë të mirë fizike, edhe pse me faza, siç tregon koha e fundit, ka humbur shkëlqimin në rendimentin në fushë.

Ai do të jetë pjesë e Botërorit 2022 që do të zhvillohet në këtë fund të vitit. Ambiciet e Ronaldos nuk mjaftohen me kaq, sepse ai nuk dëshiron që Evropiani i vitit të kaluar të jetë i fundit i tij.

Neves aspak i befasuar me vendimin e Ronaldos

Neves është prej mesfushorëve më të spikatur të Kombëtares së Portugalisë. Ai gjatë konferencës për shtyp është pyetur nga gazetarët portugezë në lidhje me paralajmërimin e Ronaldos se dëshiron të jetë protagonist në fushë edhe në Evropianin 2024.

“Askush nuk është befasuar. Duke punuar me të e dimë se çfarë është i aftë të bëjë. Nuk e prisnim që do të na thoshte në këtë moment, por në një formë apo tjetër e dinim prej kohësh, për shkak të mënyrës se si punon dhe si është i përfshirë në këtë profesion”, potencoi ai.

Për Neves është një privilegj kur Ronaldos i bashkohet ekipit kombëtar portugez, ngase sipas tij ai është frymëzues për të tjerët për angazhimin që jep.

“Gjithnjë është e jashtëzakonshme kur ftohet në Kombëtare të Portugalisë. Në çdo parametër është një profesionist i vërtetë”, theksoi Neves.

Ronaldo ka dhënë një kontribut të madh për kombëtaren e vendit të tij. Ai debutoi në verën e vonë të vitit 2003. Kësisoj, në thuajse dy dekada i është përgjigjur pozitivisht ftesës të Kombëtares së Portugalisë për t’i ardhë në ndihmë.

Ndërkohë, ai ka shënuar 117 gola në 189 paraqitje me fanellën e kombëtares. Sa i përket momentumit të ri, ai nuk është më i favorshmi i mundshmi, pasi te Manchester United ka hasur në javë dhe muaj të vështirë.

Ylli portugez dëshironte të largohej nga “Old Trafford”, por asnjë klub evropian nuk shfaqi gatishmëri që t’i bëjë ndonjë ofertë solide, edhe pse Mendes, si agjenti i tij, ka bërë të pamundurën që t’i bindë klubet që ta angazhojnë në radhët e veta, por pa sukses.

Kjo ka ndikuar që ai të vonohej në fazën përgatitore të Manchester Unitedit nën urdhrat e trajnerit të ri, Ten Hag. Si rrjedhojë, ka javë që luan titullar vetëm në ndeshjet e Ligës së Evropës, pasi në ato te Premierligës llogaritet si lojtar stoli. Diçka e rëndë për të, mare parasysh se çfarë historie ngërthen mbi supe.

Lajme të ngjashme