Neuer humb sezonin, pasi u lëndua duke skijuar në pushime
Portieri gjerman, Manuel Neuer, ka humbur sezonin. Ai i është nënshtruar një operimi në pjesën e poshtme të këmbës, pasi u lëndua teksa ishte duke skijuar në pushime. Lajmin e konfirmoi vetë futbollisti.
Lajmet e këqija për Neuerin nuk kanë të ndalur. Pas një viti të vështirë që përjetoi si në aspektin shëndetësor dhe njerëzor, si në atë profesional – pasi u eliminua me Gjermaninë që në fazën e grupeve në Botëror – tani ai ka njoftuar se ka pësuar një tjetër lëndim fatal.
Bëhet fjalë për një lëndim në pjesën e poshtme të këmbës. Gjithë kjo ndodhi në momentin kur ai ishte duke shijuar skijimin në pushime pas Botërorit.
“Përshëndetje djem. Çfarë të them. Fundi i vitit mund të shkonte edhe më mirë. Gjersa skijoja kam lënduar pjesën e poshtme të këmbës. Operimi dje ka shkuar shumë mirë. E falënderoj shumë ekipin mjekësor”, sqaroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram”.
Neuer njoftoi tifozët e Bayernit dhe të gjithë ndjekësit e tij se ky lëndim kërkon kohë të gjatë për rikuperim dhe se kështu ka përfunduar sezoni 2022/2023 për të.
“Përveç tjerash, më vjen keq që mësova se sezoni ka mbaruar për mua”, përfundoi ai.
Bayern në telashe
Klubi më i trofeshëm gjerman e ka pritur me shok një lajm të tillë. Një portier me përvojë siç është 36-vjeçari do të jetë një mungesë e konsiderueshme për vazhdimin e kampionatit, por mbi të gjitha për ndeshjen në Ligën e Kampionëve në fazën e eliminimit direkt ndaj PSG.
Ndeshja e parë do të luhet më 14 shkurt në kryeqytetin francez, kurse ajo e kthimit më 8 mars. Kështu, Nagelsmann do të duhet të pajtohet me mungesën e përfaqësuesit gjerman.
Tani vendin e titullarit do ta marrë portieri që renditet i dyti në hierarki të skuadrës, gjermani Sven Ulreich. Ai këtë edicion në Bundesliga është paraqitur në tre ndeshje, konkretisht gjatë periudhës nga gjysma e muajit tetor deri në fund të tij.

Neuer gjatë asaj kohe mungonte për shkak të një tjetër lëndimi: në shpatullë. Tani është e paqartë nëse Bayerni do të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit për t’u përforcuar edhe një portier shtesë rezervë.
Përkundër mungesës së shkëlqimit në kampionat, kampioni në fuqi sërish ia doli ta mbyllë pjesën e parë të sezonit si lider duke udhëhequr me 34 pikë, ku gëzon një distancë prej +4 pikë ndaj Freiburgut.

Bundesliga nuk do të rikthehet deri në fund të muajit janar. Në rastin e Bayernit, sfidën e parë që do ta luajë pas pushimit nga Botërori dhe ai dimëror – është ajo ndaj Leipzigut më 20 janar.
