Manuel Neuer zbulon se kishte kancer të lëkurës në fytyrë
Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, ka zbuluar se ishte përball me kancer të lëkurës në fytyrë, që e ka dërguar atë tri herë drejt operimeve.
Është mësuar nga raportimet në Gjermani se portieri nuk është në dyshime për Kupën e Botës edhe pse ka kaluar tri operacione.

Neuer në një postim në Instagram sot e ndau me të gjithë se ka luftuar me kancerin e lëkurës dhe tani ka investuar në një krem të diellit së bashku me tenisten Angelique Kerber.
Ai në video tha: “Ne të dy kemi një histori me sëmundje të lëkurës. Në rastin tim, kancer lëkure në fytyrë, që u nevojitën tri operime.”
“Kur bëhet fjalë për kremin kundër diellit, ne për atë kemi kushtuar vëmendje maksimale për t’u mbrojtur. Meqenëse stërvitemi jashtë gjatë gjithë kohës dhe gjithashtu na pëlqen ta kalojmë kohën e lirë në natyrë, është thelbësore që ne të fillojmë me filtra modernë për mbrojtjen nga dielli dhe një faktor mbrojtës nga dielli mbi 50 gradë celsius. Pra, ne e dimë se tani kemi një krem kundër diellit që na mbron vazhdimisht dhe me të cilin vështirë se mund ta rrezikojë lëkuren.”
Siç raportohet nga Bild, sëmundja e portierit gjerman nisi në dhjetor të vitit 2021, kur 36-vjeçari u vërejt duke ecur para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës me një ilaç në fytyrë.

Neuer, i cili u operua tri herë për të shëruar kancerin, ende ka shenja në fytyrë.
Reprezentuesi gjerman filloi në nëntë ndeshjet e para të Bundesligës për Bayern Munich, përpara se të përballej me një lëndim të krahut, që e mbajti jashtë nga muaji tetor.
Neuer po lufton për të rikthyer gjendjen e tij fizike përpara Kupës së Botës të këtij muaji, megjithëse besohet se kanceri i lëkurës nuk do ta parandalojë atë të marrë pjesë për Gjermaninë përpara përzgjedhjes së skuadrës nga Hansi Flick.