“Nëse vdes në fushë, përgjegjësia e imja” – Sadio Mane luajti për Senegalin kundër dëshirës së Liverpoolit dhe vendimit të mjekëve
Sadio Mane ka zbuluar se e kishte shpërfillur vendimin e Liverpoolit dhe këshillat e mjekëve, për të luajtur për atdheun e vet Senegalin gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës, duke shprehur gatishmëri të nënshkruajë ujdi se përgjegjësi do të ishte e tij nëse do të vdiste në fushën e lojës.
Sulmuesi 30-vjeçar kishte pësuar tronditje në kokë gjatë ndeshjes kundër Cape Verde në rrethin e 16 më të mirëve në janar, pas një përplasjeje kokë më kokë me kundërshtarin, për çka ishte detyruar ta braktiste fushën pak pasi e kishte shënuar golin hapës në fitoren 2:0.
Mane ishte këshilluar nga mjekët të pushonte të paktën pesë ditë, ndërsa klubi i tij Liverpool e kishte vëzhguar nga afër gjendjen e tij, por i etur për ta udhëhequr atdheun drejt lavdisë, ai ua kishte bërë të qartë mjekëve dhe trajnerëve se do të luante në çerekfinale me çdo kusht.
Duke folur për përkushtimin e madh për të mos munguar në asnjë ndeshje të Senegalit, Mane tha për Pro Direct Soccer France: “Kur u lëndova kundër Cpae Verde dhe pësova tronditje në kokë, nuk fola asnjëherë për këtë atë ditë”.
“Liverpooli i bëri trysni Federatës së Senegalit dhe i shkroi letër FIFA-s se unë kisha nevojë të pushoja të paktën pesë ditë, pra kjo nënkuptonte se unë do të mungoja në çerekfinale”
“Edhe mjekët e ekipit kombëtar i ndoqën këto rregulla. Kur ma thanë këtë, unë e thirra trajnerin dhe i thashë, ‘Doktori më thotë se nuk mund të luaj por ju duhet të më fusni në 11-shën startuese’. I telefonova edhe presidentit të Federatës dhe i thashë se ne duhej ta takoheshim sepse unë duhej të luaja. Mund ta jepja jetën”, shpjegoi Mane, tani lojtar i Bayern Munich.
Mane ia kishte dalë ta niste nga fillimi lojën kundër Guinesë Ekuatoriale në rrethin e tetë më të mirëve.
“Unë ju thashë, ‘E di që nuk duhet të luaj por hajde ta bëjmë një kontratë. Do të jetë përgjegjësia ime, e nënshkruaj vetë’”.
Ai shtoi: “Nëse vdes, ata duhet të thonë se ishte faji im. I askujt tjetër. Ata më thanë, ‘Sadio, nuk mund të luash’, por unë iu thashë, ‘Jo, jo, as që bëhet fjalë të mos luaj’. Ishte ora 1 apo 2 e mëngjesit dhe të gjithë ishin në panik. I thashë trajnerit, ‘E di që edhe ju jeni i frikësuar, thjesht shkruajeni një letër që unë luajta vullnetarisht në rast se vdes apo ndodh diçka’”.
“Nuk e nënshkrova letrën por ata më thanë që nuk ishte e mundur. Unë isha i gatshëm ta bëja, prandaj mjeku më tha do ta bëjmë një test në ditën e lojës. Në mëngjesin e lojës e bëmë testin dhe ia dërguam Konfederatës së Futbollit të Afrikës dhe ata e kontrolluan dhe nuk gjetën asgjë dhe më thanë se mund të luaja. Falë zotit gjithçka shkoi mirë.”
Pasi u lejua ta luajë, Mane i ndihmoi Senegalit të mposhtë 3:1 Guinenën Ekuatoriale, si dhe Burkina Fason me të njëjtin rezultat në gjysmëfinale, për ta caktuar një finale me Egjiptin e Mohamed Salahut, të cilin e mundën për ta siguruar trofeun e parë historik në Kupën e Kombeve të Afrikës.