Nëntë ish-futbollistë të Vushtrrisë e padisin klubin për mospagesë të borxhit - NACIONALE

Nëntë ish-futbollistë të Vushtrrisë e padisin klubin për mospagesë të borxhit

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

FC Vushtrria u bë me kryesi të re, por siç duket problemet nuk kanë fund. Kryesia e re me premtime shumë, por disa nga futbollistët tani janë larguar për mospagesa të borxhit, teksa këta të fundit kanë vendosur t'a padisin klubin për mjetet financiare të papaguara.

Nëntë ish-futbollistë të FC Vushtrrisë tashmë kanë ushtruar padinë e tyre për borxhin e papaguar, për të cilin borxh thonë se pritën më shumë se katër muaj që nga premtimet nga Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, si dhe aksionarët në klub.

Futbollistët në fjalë thonë se kryesia e re e mori përsipër dhe u pajtua me kryesinë e vjetër për të paguar borxhet, por që këto kanë mbetur vetëm fjalë, ku që nga muaji shkurt nuk i kanë marrë mjetet financiare.

Klubi nuk kishte probleme me financa por vetëm vonesa në paga në disa momente me kryesinë e vjetër, thonë ish-futbollistët, por që nga ardhja e kryesisë së re, problemet për ta kanë filluar.

Ndonëse kanë marrë premtime të shumta të vazhdueshme, asnjë hap nuk është bërë deri më tani që borxhi të paguhet.

Ish-futbollistët e Vushtrrisë thonë se kanë shteruar të gjitha format e bisedimeve me kryesinë e re, dhe pasi kanë parë që nuk ka reagim nga drejtuesit, kanë vendosur që këtë qështje ta drejtojnë në Drejtësinë e Kosovës, duke ushtruar padi, pasi kërkojnë të marrin atë që u takon.

Reagimi i plotë i ish-futbollistëve të FC Vushtrrisë

FC Vushtrria në krye me kryesinë dhe sponsorin e ri Shaip Mikullovci nuk na jep rrogat tona…

Në emër të shumë ish-lojtarëve të skuadrës së Vushtrrisë, desha ta bëj një denoncim ndaj klubit FC Vushtrria, më saktësisht ndaj kryesisë së re në krye me sponzorin (“presidentin”) Shaip Mikullovci e të tjerëve me rradhë, te cilët që nga muaji shkurt na kanë lënë pa paga…

Klubi ka qenë duke funksionuar shumë mirë, me financa kemi qenë mirë shumë, kemi pas disa vonesa mirëpo të gjitha rrogat i kemi marrë deri kur u shfaqën “kryesia e re” me ambicie për të marrë përsipër klubin tonë…

Dhe pas shumë përpjekjeve të tyre edhe përmes komunës së Vushtrrisë ia arritën qëllimit të tyre.

Ata njëkohësisht bënë marrëveshje edhe me kryesinë e vjetër, që t'i paguajn[ rrogat tona mirëpo këto mbetën vetëm fjalë, ngase qëllimi i tyre ishte vetëm ta largojnë kryesinë e vjetër kurse obligimet tona i harruan krejtësisht.

Edhe pse kanë deklaruar vazhdimisht se do të na paguajnë pagat që na kanë mbetur borxh, edhe pse vazhdimisht kanë bërë premtime ata ende nuk kanë realizuar asgjë nga kjo pjesë.

Ne i kemi përdorur të gjitha format e mira të mundshme në mënyrë që t'i marrim paratë tona, mirëpo nuk kemi gjetur gjuhë bashkëpunuese, edhe premtimet e kryetarit të komunes kanë qenë që kryesia e re do të na paguajë rrogat, mirëpo ata sërish kanë vazhduar me avazin e njëjtë.

Meqenëse nuk kemi zgjidhje tjetër atëherë ne kemi vendosur që këtë qështje ta adresojmë në gjyq, vetëm e vetëm që t'i marrim paratë tona që na takojnë

Gjithashtu vendosë që këtë ta bëjmë publike edhe në media në mënyrë që opionioni futbolldashës në Vushtrri të mos mashtrohet me premtimet e tyre.

Mediat i falenderojmë për mundësinë, kurse atyre që na kanë marrë hakun, turpi i mbuloftë.

*Gazeta Nacionale që nga pranimi i informacionit, ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryesia e klubit, por që drejtori i klubit, Liridon Ahmeti, tha se gjendet në një takim, duke mos u pronocuar për rastin në fjalë.

Lajme të ngjashme