Në Ugandë tifozët po vriten mes vete për klubet e Premierligës - NACIONALE

Në Ugandë tifozët po vriten mes vete për klubet e Premierligës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën dy tifozë futbolli në Ugandë po përballen me akuza për vrasje, pasi një person u vra në kryeqytetin e vendit, Kampala, pas një fjalosjeje për rezultatin e ndeshjes mes Arsenalit dhe Manchester City.

Një i ri vdiq si pasojë e plagëve të marra pasi kishte ndërhyrë për ta ndalur një përleshje fizike mes tifozëve, pas disfatës së Arsenalit ndaj Manchester City të premten.

Allan Kakumba vdiq pak pasi ishte dërguar në spital një ditë pas përleshjes.

Policia e Ugandës tha se dy të dyshuar janë dërguar në paraburgim në lidhje me këtë vrasje.

Kakumba, 25 vjeç, kishte ndërhyrë kur vëllai i vet Titus Kyendo, tifoz i Arsenalit, ishte duke u përleshur me përkrahësit e Manchester Cityt.

Vrasja e tij vjen vetëm një javë pasi një tjetër tifoz i Arsenalit u rrih për vdekje në Adjumani në rrethinën e Nilit Perëndimor.

Richard Ukuyo ishte goditur për vdekje mbrapa kokës me një shkop, pasi e kishte zemëruar një tifoz të mërzitur të Manchester Unitedit pas triumfit të Arsenalit në derbi kundër djajve të kuq muajin e kaluar.

Policia tha se viktima ishte një tifoz i njohur i Arsenalit.

Ai ishte fjalosur për golin e Eddie Nketiahs në kohën shtesë që ia fitoi Arsenalin ndeshjen ndaj Unitedit.

Futbolli anglez është shumë i ndjekur në Ugandë, njëlloj si në shumë vende të tjera të Afrikës.

Popullaritetit i futbollit anglez në këtë vend është rritur dukshëm edhe pas përhapjes së basteve, gjë që mund të shpjegojë pse disa prej tifozëve po i marrin edhe më seriozisht rezultatet e ndeshjeve tani, sipas Joseph Kabuleta, ish-shef i Shoqatës ë Shtypit të Sportit të Ugandës.

Kur një vend bëhet shumë i brishtë, zakonisht shkaku i humbjes së shpresës në çdo fushë tjetër.. disfata apo fitorja shkaktojnë lumturi të skajshme apo zhgënjim të madh”, tha Kabuleta për BBC.

Forma e jashtëzakonshme e Arsenalit këtë sezon u ka dhënë shpresë të rrallë tifozëve të klubit, me të cilën disa e kanë tepruar.

Kur Arsenali e mundi rivalin Manchester United 3:2 në janar për ta rritur në pesë pikë epërsinë në krye të tabelës në Premierligë, tetë tifozë të Arsenalit u arrestuan në qytetin Jinja pasi kishin bërë paradë nëpër rrugë me një trofe kopje të Premierligës për ta festuar triumfin.

Feli Bagiire, prezantues në radio dhe lider i grupit të tifozëve, tha për BBC se qëllimi i tyre ishte të talleshin me tifozët e Manchester Unitedit pas fitores në derbi.

Policia tha se grupi i tifozëve nuk kishte marrë leje për ta mbajtur këtë paradë, gjë që është shkelje ligjore në Ugandë.

Lajme të ngjashme