Në Superligë sot luhet për zonën e Evropës dhe atë të mbijetesës, derbi i ditës zhvillohet në kryeqytet
Java e 15-të e Superligës së Kosovës hap siparin me tri ndeshje që do të zhvillohen sot. Ndeshje të cilat do të jenë të rëndësishme si për zonën e Evropës, ashtu edhe për atë të mbijetesës.
Dita e sotme do të sjellë për publikun kosovar tre ndeshje të rëndësishme në kampionatin e Superligës. Vëmendja kryesore do të jetë në “Fadil Vokrri”, aty ku në mbrëmje, me fillim në ora 18:00, Prishtina do të jetë nikoqire e Gjilanit. Dy ndeshjet tjera që do të zhvillohen do të fillojnë në ora 13:00: Drenica – Trepça ’89 dhe Dukagjini - Malisheva
Prishtina nuk ia doli që ta arkëtojë fitoren e katërt rresht gjatë fundjavës, duke barazuar me Trepçën ’89 gjatë mesjavës me rezultat 2:2, në ndeshjen që kishte mbetur pezull pa u luajtur prej javës së 9-të. Sfidë interesante kjo e sotmja në kryeqytet, pasi të dy ekipet, si Prishtina, ashtu edhe Gjilani – kanë numrin e njëjtë të pikëve: 22. Të dy skuadrat zënë pozitën e 3-të, respektivisht atë të 4-të.
Andaj, kjo ndeshje do të jetë një përballje për zonën e Evropës, aty ku të dy ekipet synojnë që ta sigurojnë një plasman që do t’ua mundësonte pjesëmarrjen në kualifikimet për Ligën e Konferencës.

Rezultati që ka dominuar më së shumti mes këtyre dy skuadrave në dy vitet e fundit është barazimi. Duelet direkte kanë vë në pah një shkallë të lartë baraspeshe në dy sezonet paraprake.
Përgjithësisht, ka qenë ekipi i Gjilanit ai që ka vuajtur më shumë, pasi nuk di për fitore në ndeshjet direkte ndaj Prishtinës tani e dy vjet.
Emëruesi i përbashkët i të dy klubeve gjatë këtij viti është riorganizimi i brendshëm. Në këtë aspekt tani për tani Prishtina duket se qëndron më mirë, por edhe te Gjilani ka shpresa dhe sinjale për një ndryshim i cili mund të vijë shumë shpejt, ashtu siç mësoi Gazeta Nacionale dje, pasi ka dy kompani të huaja të interesuara për t’i blerë aksionet e klubit.
Dy ndeshjet për zonën e mbijetesës
Drenica për momentin po aspiron diç më shumë se mbijetesa, por nuk është hera e parë që veten e sheh në pozitë të ngjashme tabelore, respektivisht në mesin e saj, për të përfunduar më vonë duke rënë gradualisht në zonën e mbijetesës.
Me pak fjalë, ambicia kryesore e Drenicës mbetet sigurimi i mbijetesës. Sot, drenicasit do të udhëtojnë në “Riza Lushta" për t'u ndeshkur me ekipin e Trepçës ’89. Një përballje thuajse derbi, marrë parasysh edhe pozitën gjeografike nga vijnë dy klubet.
Kjo ndeshje në të kaluarën ka sjellur shumë gola. Luhet mes një mbrojtje relativisht të konsoliduar siç është ajo e Drenicës që ka pranuar 17 gola dhe një tjetër mizore siç është ajo e Trepçës ’78, që deri më tani ka mbrojtjen më të pasigurt dhe të dobët në kampionat me 28 gola të pranuar.
Drenica zë pozitën e 5-të me 17 pikë, kurse Trepça ’89 atë të 8-en me 12 pikë, por ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

Ndërsa në ndeshjen tjetër mes Dukagjinit dhe Malishevës do të luhet po ashtu për zonën e mbijetesës. Dallku dhe Sermaxhaj do të përpiqen që t’i japin sa më shumë oksigjen skuadrave respektive para pauzës për fillimin e Kupës së Botës.

Malisheva me disa fitore ka arritur të dalë nga zona e thellë e tabelës, duke u renditur momentalisht në pozitën e 7-të me 15 pikë. Dukagjini, edhe pse heraherës ka treguar formë të mirë gjatë javëve të fundit, vazhdon të ketë çalesa të dukshme, të cilat kanë bërë të mundur që ekipi të ngecë në pozitën e parafundit tabelore me 12 pikë.


