Ndeshje e zjarrtë në Podujevë, Llapi po e mposht Ballkanin pas 45 minutave të para
Një pjesë e parë mjaft interesante u zhvillua në Zahir Pajaziti në Podujevë, ku po përballen Llapi e Ballkani, apo vendi i dytë me të parin.
Në 45 minutat e para u shënuan pesë gola, dhe pati shumë episoda në kaq pak minuta.
Vetëm shtatë minuta i mjaftuan skuadrës së Tahir Batatinës që të shënonte për epërsinë e parë. Ishte Hamdi Namani që shënoi me kokë, pas një harkimi nga Valmir Veliu.
10 minuta më vonë në shprehje erdhi golashënuesi më i mirë i Superligës, Muhamet Hyseni, që gjeti rrjetën, për ta dyfishuar epërsinë e Llapit ndaj kampionit në fuqi.
Skuadra e Ilir Dajës arriti të kthehej në lojë. Ishte Nazmi Gripshi që në minutën e 25-të shënoi nga penalltia, për ta ngushtuar rezultatin në 2:1.
Pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë e takimit, sulmuesi Albin Berisha, shënoi për ta barazuar rezultatin në 2:2.
Por krejt në fund, në minutat shtesë, njëriu më në formë në këtë takim, Hamdi Namani, shënoi gol të bukur, për ta çuar Llapin në pushim me epërsi prej një goli, pra 3:2.
Kujtojmë se me gjendjen momentale, Ballkani është në vendin e parë me shtatë pikë më shumë se Llapi, të cilat kanë dy ndeshje më shumë të zhvilluara.