Ndeshja e katërt pa fitore për Milanin në Serie A, ndalet me barazim nga Lecce
Skuadra e Ylber Ramadanit, Lecce, e ka ndalur Milanin me barazim 2:2, ku kuqezinjtë deri në minutën e 66-të po avanconin 2:0. Kjo është ndeshja e katërt radhazi për skuadrën e Stefano Piolit pa pikë të plota në Serie A.
Ndonëse po vinin nga një fitore e madhe në Ligë të Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, në Serie A punët nuk po shkojnë edhe aq mirë për Milanin.
Pjesa e parë për kuqezinjtë nisi shumë mirë, pasi shënuan dy gola në 45 minuta.
Ishte fillishimit Olivier Giroud që shënoi për 1:0 në minutën e 28-të, pas një depërtimi dhe asistimi nga Theo Hernandez.
Shtatë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 35-të, Tijjani Reijnders shënoi për 2:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Kthesa ndodhi në pjesë të dytë. Zhvillohej minuta e 66-të kur pas një harkimi, Alexis Blin tentoi të shënonte por i doli asist për Nicolo Sansonen, që ngushtoi rezultatin në 2:1.
Vetëm katër minuta më vonë, një gabim në mesin e fushës nga Milani, u kushtoi shumë atyre. Ishte Sansone që asistoi për Banda, që çoi topin prapa krahëve të Mike Maignan, për të barazuar në 2:2, që doli të ishte epilogu final i takimit.
Milani tani me këtë barazim rrezikon ta humbë vendin e tretë në renditje, nëse Napoli e mposht Empolin nesër, ndërsa Lecce gjendet në vendin e 13-të me 14 pikë të grumbulluara.