Ndërrohet orari i finales së FA Kupës, ndeshja cilësohet me ‘rrezik të lartë’
Federata angleze e futbollit ka konfirmuar se finalja e FA Kupës e cila do të zhvillohet në Wembley ndërmjet Manchester Cityt e Manchester Unitedit do të fillojë më herët se orari i planifikuar fillimisht.
Përballja e 3 qershorit ndërmjet dy gjigantëve pritej të zhvillohej në orarin tradicional, por këshillat nga autoritetet londineze e bindën FA-në të ndryshonte orarin.
Sipas Daily Mail, policia i tha FA-së se natyra intensive e rivalitetit midis dy klubeve nënkuptonte se ishte një ndeshje "me rrezik të lartë" për përplasjet e tifozëve në Londër, me një fillim të mëvonshëm që mund ta përkeqësonte çështjen. FA nuk e kundërshtoi këshillën dhe të mërkurën zyrtarisht bëri ndryshimin, për ta zëvendësuar me një orar më të hershëm.
The kick-off time for the #EmiratesFACup Final between @ManCity and @ManUtd has been confirmed!
— Emirates FA Cup (@EmiratesFACup) April 26, 2023
It will be available to watch live 📺
Ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej në 18:30 më 3 qershor, ndërsa tani me orar të ri fillon në të njëjtën datë në ora 16:00.
Kjo do të jetë finalja e parë në histori të FA Kupës ndërmjet dy skuadrave të Manchesterit, si dhe koha më e hershme e fillimit të kësaj ndeshje në 12 vitet e fundit.

Manchester United do të kalojë periudhën nga tani deri në finale duke u përpjekur për të vulosur kualifikimin e tyre në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, ndërsa Manchester City ka ende një shans për të fituar garën evropiane të këtij viti me një ndeshje të parë gjysmëfinale kundër Real Madridit të planifikuar për 9 maj. Skuadra e Pep Guardiolës gjithashtu është në kërkim të mbrojtjes së titullit në Premierligë, me një garë të ngushtë me Arsenalin.

