Manchester City në finale të FA Kupës, Mahrez me het-trik ndaj Sheffield United
Manchester City ka shënuar fitore 3:0 ndaj Sheffield United në gjysmëfinale të FA Kupës me tre golat e realizuar nga Ryad Mahrez, kështu për të siguruar finalen.
Qytetarët kanë hyrë në seri pozitive ku në 10 ndeshjet e fundit kanë shënuar nëntë fitore dhe vetëm një barazim, me rrugëtimin me të cilin kanë rikthyer shpresat për titull kampion në Premierligë si dhe janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa tani kanë siguruar finalen e FA Kupës.
Ndeshja e zhvilluar në Wembley, si terren neutral i takoi skuadrës së Pep Guardiolës, që pati një dominim të theksuar.
Sheffield në anën tjetër u mbajt shumë mirë në pjesën e parë, pasi u mbyllën krejtësisht në fushën e tyre dhe në gabimin e vetëm të bërë gjatë 45 minutave të para e pësuan.
Jebbison shkaktoi një penallti në minutat e fundit të kësaj pjese, dhe Ryad Mahrez u tregua i saktë nga 11 metra për të çuar rezultatin në 1:0, me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Mahrez shënoi të dytin personal dhe të dytin për qytetarët në minutën e 61-të.
Algjeriani e përfundoi ndeshjen me het-trik, kur shënoi për 3:0 në minutën e 66-të pas disa kombinimeve të bukura, me asistin që u dhurua në fund nga Jack Grealish.
Manchester City tashmë gjendet në finale të FA Kupës, dhe do ta presë për kundërshtarë fituesin nga gjysmëfinalja tjetër që zhvillohet nesër ndërmjet Brighton e Manchester United me fillim nga ora 17:30.
