Ndahet nga jeta komentatori i mirënjohur Milaim Krasniqi - NACIONALE

Ndahet nga jeta komentatori i mirënjohur Milaim Krasniqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në moshë 53-vjeçare është ndarë nga jeta gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Milaim Krasniqi. Komuniteti i gazetarisë sportive dhe jo vetëm është në zi me rastin e vdekjes së tij.

Komplikimet e rënda në shëndet ia shkaktuan Milaim Krasniqit një vdekje të parakohshme. Ai vuante nga kanceri, por betejën me të nuk arriti që ta shtyjë shumë gjatë. Ai vdiq sot në Francë ku po qëndronte për t’u mjekuar.

I ndjeri për shumë vite kishte punuar në medie të ndryshme, por në veçanti me komentimet e tij në “Radio Kosova” nga viti 2001 ishte shquar më shumë.

Lajmin për vdekjen e Milaim Krasniqit e kumtoi edhe kolegu i tij, Edmond Thaçi: “Lajm i kobshëm nga Franca. Sapo ndërroi jetë kolegu, shoku dhe bilbili i mikrofonit, Milaim Krasniqi. Ishe gjithmonë pozitiv dhe si i tillë do të kujtojmë gjithmonë.”

Një jetë kontribut për sportin

Bagazhi si gazetar sportiv i Milaim Krasniqit ka qenë vërtet i pasur. I lindur më 1 qershor 1969, studimet i vijoi në drejtimin për gazetari dhe komunikim.

Përvoja e tij e parë e punës ishte në gazetën “Bujku” gjatë viteve të ’90-ta. Më pas ai iu dedikua punës në radio. Kështu ai ishte pjesë e radiove “Rilindja” dhe asaj “Kosova e Lirë”.

Më pas ishte edhe punëtor në televizionin “AA”. Epoka për të ndryshoi kur ai nisi të punojë më 2001 në “Radio Kosova”.

Ai komentoi një mori ndeshjesh në sferën e sportit vendor. Po ashtu, komentoi edhe ndeshjet e Kombëtares së Kosovës gjithmonë për “Radio Kosova”.

Veçohej për një zë unik, të cilin do ta mbajnë mend të gjithë të apasionuarit e sportit vendor në Kosovë. Përndryshe, i ndjeri ishte edhe redaktor i programit në “Radio Kosova” dhe një kohë edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Në përgjithësi karakterizohej si një njeri i hareshëm dhe i afërt me të gjithë, ku transmetonte shumë pozitivitet me fjalët e tij.

Kështu, gazetaria sportive e humbi njërin nga doajenët e vet të rrallë, i cili la pas vetës vepra të paharrueshme, të cilat do të shërbejnë si një frymëzim për të gjithë ata që e njohën dhe patën mundësinë të përfitojnë nga profesionalizmi i tij.

Lajme të ngjashme