Ndahen çmimet për “Laureatët 2023”
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndarë çmimet për më të mirët e vitit 2023.
Në një ceremoni, ku u prezantua edhe ardhja më e fundit – Fisnik Asllani i Hoffenheimit, janë shpallur edhe më të mirët e vitit 2023.
Lojtari më i mirë i Kosovës është shpallur Amir Rrahmani i Napolit, që e fitoi titullin në Serie A si dhe arriti deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndërsa, lojtari më i mirë i Superligës së Kosovës ishte askush tjetër përpos yllit të Ballkanit Lumbardh Dellova, që kishte paraqitje fantastike me skuadrën kosovare, si dhe bërë paraqitje solide te kombëtarja A.
Golashënuesi më i mirë ishte Albion Rrahmani, që shkëlqeu sezonin e kaluar te Ballkani ndërsa në verë bëri hapin gjigant duke iu bashkuar Rapid Bukureshtit.
Ndërkohë, me votat e trajnerëve gjithashtu u zgjodh edhe formacioni më i mirë i vitit, që ishte i dominuar nga yjet e Ballkanit.
Formacioni më i mirë i vitit në Superligën e Kosovës (4-4-2): Enea Koliçi (Ballkani); Armend Thaqi (Ballkani), Lorenc Trashi (Ballkani), Lumbardh Dellova (Ballkani), Ilir Krasniqi (Llapi); Nazmi Gripshi (Ballkani), Drilon Hazrollaj (Malisheva), Qëndrim Zyba (Ballkani), Rron Broja (Drita); Muhamet Hyseni (Llapi), Jalen Blesa (Prishtina).
Gjyqtari i vitit u shpall Visar Kastrati, që u vlerësua me notën 8.8 nga 10 që ishte maksimale.
Ballkani mori çmimin e klubit më të mirë të vitit, derisa Drita ishte klubi më fair-play i vitit.
Ndërkohë, Ilir Daja sërish u shpall trajneri më i mirë i vitit.
Çmim të veçantë mori edhe ish portieri Samir Ujkani, i cili u shpërblye me “Çmimin e karrierës” pasi njoftoi pensionimin muajin e kaluar dhe tani ka pozitën e zëvendësdrejtorit të FFK-së.
FC Prishtina 01 dominoi sa i përket futsallit, me portierin Bajram Ramadani që u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit 2023. Kurse, klubi mori çmimin e klubit më të mirë të vitit.
Çmime morën edhe në kategorinë e vajzave, me Feride Kastratin që u zgjodh futbollistja më e mirë e vitit, derisa Anita Krasniqi ishte “Shpresa e vitit 2023”.
Përpos këtyre, me çmim të veçantë u vlerësua edhe Erëleta Mehmeti për kontributin dhe arritjet e mëdha në kombëtare.