NBA: Ndeshje shumë të forta dhe të barabarta në play-off, vetëm Warriors kryesojnë - NACIONALE

NBA: Ndeshje shumë të forta dhe të barabarta në play-off, vetëm Warriors kryesojnë

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Tashmë janë zhvilluar në secilën përballje nga katër ndeshje në ligën më të fortë në botë në basketboll. Në tri përballje rezultati i serisë është 2:2 me ndeshje, ndërsa vetëm Golden State Warriors kryesojnë 3:1 kundër Memphis Grizzlies.

Në mëngjesin e hershëm në Kosovë janë zhvilluar dy ndeshje mjaftë të forta, që përfunduan me rezultate të ngushta. Ishin ndeshjet ndërmjet Milwaukee Bucks dhe Boston Celtics, si dhe Golden State Warriors dhe Memphis Grizzlies.

Edhe pse kishe një avantazh të lehtë për Bucks prej 2:1 dhe ndeshjen radhës e kishte si vendas, Jason Tatum me bashkëlojtarë u përkujdesën që të mos ia bënin edhe aq të lehtë.

Ndeshja e zhvilluar në Fiserv Forum të Milwaukees mëngjesin e sotëm, filloi mirë për Bucks të cilët ishin më të mirë në çerekun e parë duke e fituar 25:18, por në çerekun e dytë u zbut epërsia vetëm në një pikë. Çereku i dytë përfundoi në të mirë të Bostonit me rezultat 29:23, kështu për të përmbyllur pjesën e parë me rezultat minimal prej 48:47 për Bucks.

Edhe çereku i tretë iu takoi Milwaukees me rezultat 32:26, për ta ngritur epërsinë në +7 pikë. Pika e kthesës për Bostonin ishte çereku i katërt, të cilët ishin të pandalshëm për të shënuar 43 pikë përkundër 28 pikëve të Bucks. Ndeshja përfundoi me fitoren e Bostonit me rezultat 116:108 dhe kështu barazohet seria në 2:2 ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Më të mirët në këtë ndeshje për Boston Celtics ishin Jason Tatum dhe Al Horford me nga 30 pikë secili, ndërsa tek Milwaukee Bucks Giannis Antetokounmpo i shënoi 34 pikë e 18 rebounds por nuk e pati ndihmën e mjaftueshme të skuadrës.

Ndeshja e radhës mes këtyre dy skuadrave zhvillohet më 12 maj në TD Garden të Bostonit.

Ndeshja tjetër mes Golden State Warriors vs Memphis Grizzlies e zhvilluar në Chase Arena dha një epilog të pritur.

Edhe pse ishte ndeshje me rezultat të ngushtë në fund, ishte e pritur të ndodhte që Warriors të triumfonin në shtëpi ngase është e vështirë t’iu marrësh lojë në Chase Arena.

Më mirë e nisën Grizzlies me një epërsi prej katër pikësh në çerekun e parë, ndërsa pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale 41:38 për Grizzlies. Edhe çerekun e tretë e fituan Memphisi me epërsi katër pikëshe duke shkuar në çerekun e katërt me epërsi prej shtatë pikëve. Ashtu edhe si ne ndeshjen e mësipërme, kthesa ndodhi në çerekun e katërt të ndeshjes, ku Curry me shokët e tij triumfuan me 10 pikë epërsi në atë çerek, kështu për të arritur fitoren me rezultat përfundimtarë 101:98. Me këtë fitore janë e vetmja skuadër nga të dy konferencat që kryeson me fitore, pra 3:1.

Më i miri i ndeshjes ishte dy herë MVP-ja i NBA, Stephen Curry, me 32 pikë e tetë asiste por që nuk ishte në formë për gjuajtjet për tre pikë duke shënuar katër nga 14 gjuajtjet nga ajo distancë. Mungesa e yllit, Ja Morant për Grizzlies ishte vendimtare, duke mos pasur se kush ta marrë lojën në dorë dhe tani janë vetëm një disfatë larg eliminimit nga gara.

Ndeshja e pestë mes GSW dhe MEM, e cila mund të jetë edhe e fundit nëse triumfojnë Warriorsat, zhvillohet më 12 maj në FedEXForum të Memphisit.

Ndeshjet tjera të gjysmëfinaleve janë të barabarta sa i përket rezultatit.

Në mëngjesin e 11 majit zhvillohen dy ndeshjet tjera ku takohen: Miami Heat vs Philadelphia 76ers(2:2) dhe Phoenix Suns vs Dallas Mavericks(2:2).

Ndeshja mes Heat dhe 76ers zhvillohet në American Airlines Arena të Miamit, kurse ndeshje mes Suns e Mavericks zhvillohet FootPrint Center të Phoenixit.

Përgatiti: Vivianit Gërguri

Lajme të ngjashme