NBA: Booker i vetëm i mposht Pelicansat, shënon sërish 52 pikë ndaj tyre
Sezoni i rregullt në NBA po shkon drejt fundit dhe ndeshjet po vijnë e po bëhen më interesante, me skuadrat që luftojnë për një vend në play-off. E tillë ishte nata e kaluar ku Phoenix Suns dhe New Orleans Pelicans u takuan.
Ylli i Suns ishte në formë të lartë, dhe shënoi sërish 52 pikë ndaj tyre, ashtu si në ndeshjen e fundit mes këtyre skuadrave, ndërsa në një ndeshje më 17 dhjetor të vitit 2022 iu kishte shënuar 58 pikë, duke çuar numrin në 162 pikë totale në tri paraqitje kundër tyre.
Ky është një rekord i ri, pasi janë pikë më së shumti të shënuara ndaj një skuadre në hapësirën prej tre ndeshjeve në 50 sezonet e fundit, duke kaluar 158 pikët e James Harden kundër Memphis Grizzlies.
Suns dhe NOP janë dy skuadra që po luftojnë për një vend në play-off, me të parët që janë në zonën e play-in, ndërsa Pelicans me një fitore më shumë momentalisht janë në pozitë që garanton kualifikim direkt.
Phoenis dominoi takimin e djeshëm, me Devin Booker që ishte thjesht i pandalshëm, i cili shënoi plot 37 pikë në dy çerekët e parë.
Pjesa e parë e takimit u mbyll me epërsi prej 20 pikëve, teksa NOP e ngushtuan rezultatin paksa në vazhdim, me ndeshjen që përfundoi 124:111 në të mirë të Phoenix Suns.
Booker me 52 pikë, Durant me 20 e Nurkic me 19 ishin më të mirët në këtë fitore të rëndësishme, ndërsa në anën tjetër Zion Williamson shënoi 30 pikë e Murphy III shtoi 21, që ishin të pamjaftueshme për të evituar humbjen.
Kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në përfundim të sezonit, Suns do të luftojë deri në fund për një kualifikim direkt, dhe janë afër për ta bërë këtë, nëse skuadrat në gjashtë pozitat e para vazhdojnë të gabojnë.