Napoli marshon drejt titullit të tretë në Serie A, mposht Torinon në udhëtim
Napoli ka shënuar fitore të thellë 4:0 ndaj Torinos në udhëtim, kështu për të marshuar drejt titullit të tretë në Serie A dhe të parit që nga sezoni 1989/90, kur kjo skuadër udhëhiqej nga legjenda tashmë e ndjerë, Diego Armando Maradona.
Napoli ishte dominuese gjatë tërë takimit, me dyshen Khvicha Kvaratskhelia dhe Victor Osimhen, që po kalojnë një sezon të jashtëzakonshëm deri më tani.
Goli i parë në këtë takim u shënuar herët me Osimhen që shënoi në minutën e nëntë për 1:0, i asistuar nga Piotr Zielinski.
Për 2:0 shënoi Kvaratskhelia nga penalltia në minutën e 35-të dhe me këtë rezultat dy skuadrat shkuan në pushimin e mes pjesëve.
Me të filluar pjesa e dytë, filluan sulmet e napolitaneve. Ishte sërish Osimhen që gjeti rrjetën, për golin e dytë personal dhe të tretin për Napolin, kësaj radhe u asistua nga Mathias Olivera.
Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Tanguy Ndombele që shënoi për 4:0, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia ishte në rolin e asistuesit për herë të parë në këtë ndeshje.
Me këtë fitore Napoli tashmë është 21 pikë larg vendit të dytë Interit dhe edhe pse ende ka gjasa matematikore, lufta për titull në Serie A ka përfunduar, me skuadrat nga Milano që tashmë janë dorëzuar, ndërsa Torino me këtë humbje e humbi mundësinë të ngjitet në pozitën e shtatë dhe do të mbetet në vendin e 11-të.
