Mustafë Abdullahu e zgjedh Kosovën, i thotë “PO” ftesës së Tovërlanit
Portieri i talentuar i KF Tiranës, Mustafë Abdullahu është ftuar nga kombëtarja e Kosovës U21 për dy ndeshjet e muajit nëntor.
Pas kalimit te gjiganti shqiptar, Abdullahu ka dëshmuar kualitetin në stërvitje, duke qenë portieri i dytë.
Gazeta Nacionale me burime të afërta ka mësuar se Abdullahu ka marrë ftesë nga Kosova U21 për dy ndeshjet e ardhshme dhe i është përgjigjur pozitivisht.
Në fakt, Nacionale merr vesh që edhe Kombëtarja e Shqipërisë U21 i ka dërguar një ftesë zyrtare mirëpo portieri ka zgjedhur “Dardanët”.
Abdullahu fitoi vëmendjen në Superligën e Shqipërisë me dy paraqitje të mrekullueshme ndaj Partizanit, respektivisht Vllaznisë në muajin tetor.
“Gardiani” kosovar ishte ndër më të mirët pavarësisht humbjes 2:1 ndaj Partizanit, kurse e mbajti portën e paprekur kundër Vllaznisë.
Fatkeqësisht pastaj Abdullahu pësoi një lëndim në stërvitje – që e mbajti jashtë fushës për dy javë mirëpo do të jetë i gatshëm për t’u grumbulluar me kombëtaren e Kosovës U21 pasi veçse ka nisur stërvitjet me klubin shqiptar.
Kujtojmë, Kosova U21 përballet me Bullgarinë U21 më 17 nëntor, derisa katër ditë më vonë e pret Izraelin U21.
