Muriqi pasi pranoi çmimin special nga KOK-u: Ndihem krenar që përfaqësoj Kosovën, shpresoj që Spanja ta pranojë Kosovën
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, në mbrëmjen e organizuar nga Komiteti Olimpik për të shpallur ‘Laureatët e vitit 2022’, u nderua me Çmimin Special për të arriturat që ka bërë në nivelin kombëtar ashtu edhe individual në prezantimin e shtetit të Kosovës. Për këtë 28-vjeçari ka dërguar një video-mesazh, ku ka thënë se ndihet krenar që përfaqëson Kosovë, dhe shpreson se me anë të ndikimit të tij, Spanja një ditë ta njohë Kosovën.
Muriqi fillimisht e falënderojë KOK-un për çmimin e dhënë, ku tha se ky çmim për të është vërtet special.
“Mirëmbrëma, përshëndetje të gjithëve. Në radhë të parë dua ta falënderojë Komitetin Olimpik të Kosovës për sivjet që më ka dhënë Çmimin Special, që e marrin ata sportistë që e përfaqësojnë Kosovën anembanë botës dhe me të vërtetë për mua ky është një çmim shumë, shumë special. Besoj që deri sot e kam përfaqësuar Kosovën ashtu siç duhet, jo vetëm me profesionin tim por edhe jashtë fushës me karakterin tim dhe pa asnjë dyshim se kjo do të vazhdojë kështu edhe brenda edhe jashtë fushës.”

Sulmuesi që po kalon në formë të jashtëzakonshme me skuadrën e tij Mallorca në La Liga të Spanjës, tha se është krenarë që përfaqëson Kosovën, sidomos në një vend që nuk e njeh shtetin e tij, dhe shpreson që fal ndikimit të tij, Spanja një ditë ta njeh Kosovën shtet të pavarur.
“Ndihem shumë krenar që përfaqësojë shtetin tim, sidomos në Spanjë që fatkeqësisht nuk na njohin dhe me këtë fuqi dhe kurajë që kam, shpresoj të paktën që të ndihmojë që Spanja një ditë të na njoh si shtet. Shumë, shumë faleminderit për çmim, ju përshëndes dhe respekte.”
