Munishi: Megjithëse Drenica u mbrojt me dhjetë futbollistë, ne prapë krijuam disa raste për gol - NACIONALE

Munishi: Megjithëse Drenica u mbrojt me dhjetë futbollistë, ne prapë krijuam disa raste për gol

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ismet Munishi dha deklaratën e parë pas përfundimit të ndeshjes, ku Prishtina shënoi disfatën e radhës në kampionat duke u mposhtur 0:1 në “Fadil Vokrri” nga Drenica.

Trajneri prishtinas nuk ka asnjë ankesë ndaj lojtarëve. Ai vlerëson se paraqitja e të besuarve të tij ka qenë e mirë, por që u mungoi fati në konkretizim. Madje, edhe golin e pësuar e konsideroi me fat.

Duke folur për golin e hershëm të pranuar, ai tha: “Topi mori një trajektore të çuditshme dhe doli në anën e lojtarit të Drenicës. Sido që të jetë, lojtarët dhanë 120%.”

Arsyetimin për humbjen dhe për mosgjetjen e golit e zhvendosi edhe te rreshtimi i skuadrës së drejtuar nga Shotani.

“Drenica u mbrojt me dhjetë futbollistë. Edhe me atë mbrojtje të ngjeshur ne arritëm t’i krijojmë disa raste për gol. Unë jam shumë optimist kur kemi këso angazhimi”, tha ai.

Lëvdata të mëdha Munishi pati edhe për portierin e ri të Drenicës dhe njëherësh përfaqësuesin e Kosovës U19, Altin Gjokaj: "Mund të them që lojtari i ndeshjes ishte portieri i Drenicës. Bravo i qoftë atij djaloshi. I përgëzoj lojtarët për angazhimin, ku vetëm goli na mungoi.”

Ndërsa krejt në fund kur u pyet për mundësinë e ndonjë përforcimi në janar, ai tregoi se si do të procedohet tutje.

“Do të ulem me drejtorin sportiv dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë në afatin kalimtar të janarit (në raport me përforcimet). Unë jam i bindur që skuadra ka shumë kualitet. Këtë e tregoi edhe sot”, përfundoi ai.

Drenica ia thelloi krizën Prishtinës

Skuadra bardhekaltër po shënon një rënie drastike të formës dhe të rezultateve në periudhën e fundit. Sot, u befasua në shtëpi nga Drenica, duke e regjistruar humbjen e radhës, që ia ndërlikon shumë punët.

Një gol i hershëm vulosi çështjen e fituesit. Pasi Bytyqi u pozicionua keq në fushë duke e harruar nga mbrapa Veliqin, Drenica shfrytëzoi rastin dhe gjeti qysh në minutën e 2-të golin e epërsisë për 0:1.

Ermal Veliqi i gjendur para portës u tregua gjakftohtë duke tundur rrjetën e portierit Nika. Një dush i ftohtë që e la gojëhapur Prishtinën.

Drenica me anë të disa kundërsulmeve dhe një gjuajtje indirekte, pati edhe mundësinë që ta gjente dyfishimin e rezultatit.

Rastin më të mirë në ndeshje Prishtina e pati në minutën e 85-të të ndeshjes, kur pati një gjuajtje indirkete në favor të saj. Për çudi kjo përballje regjistroi dy indirekte.

Mirëpo, i hatashëm u tregua portieri i ri i Drenicës, Gjokaj, ku prej 2-metra afërsi priti goditjen që devijoi me kokë Mendurim Hoti.

Në fund, të pranishmit që ishin në numër modest në stadium u ndanë të zhgënjyer me humbjen e dytë brenda javës ndaj skuadrave në pjesën e poshtme të tabelës.

Pas kësaj ndeshje Prishtina ngec në pozitën e 4-të me 23 pikë, kurse Drenica del në pozitën e gjashtë me 20 pikë.

Lajme të ngjashme