Muharrem Jashari dhe Hajdin Salihu transferohen në Ukrainë, peng vetëm dokumentacioni
Dy yjet e Dritës Muharrem Jashari dhe Hajdin Salihu karrierën do ta vazhdojnë në Ukrainë, ku peng ka mbetur vetëm dokumentacioni – këtë e konfirmoi për Gazetën Nacionale drejtori sportiv Valon Zymberi.
Si Jashari ashtu edhe Salihu kanë shkëlqyer këto vitet e fundit në futbollin kosovar, ku falë paraqitjeve kanë fituar vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Megjithatë, e ardhmja e tyre do të jetë në futbollin ukrainas, më saktësisht te skuadra LNZ Cherkasy sapo dokumentacioni të kompletohet.
“Jemi në pritje të kompletimit të dokumentacionit. Nëse gjithçka kryhet sa i përket dokumenteve, atëherë do të kryhen edhe transferimet”, konfirmoi Zymberi të hënën për Gazetën Nacionale.
Zymberi konfirmoi ndër të tjera se Drita do të ketë fitim edhe në përqindje nga shitja e radhës e lojtarëve, por mohoi se të dy lojtarët kanë kushtuar 800 mijë euro, siç u raportua në mediat lokale.
“800 mijë fiton Drita për dy lojtarët? Jo, nuk është e vërtetë. Nuk mund të flasë për çmimin mirëpo kemi edhe përqindje edhe në shitjen e radhës”, nënvizoi ai.
Jashari dhe Salihu ndër lojtarët më aktiv te Drita këtë sezon
Me largimin e Jasharit dhe Salihut, Drita padyshim do të jetë pa dy yje për pjesën e mbetur të sezonit pasi ishin ndër lojtarët që zhvilluan më së shumti minuta në fushë.
Mesfushori Jashari ishte mesfushori me më së shumti minuta këtë sezon, me 1 mijë e 503 minuta në 21 paraqitje duke realizuar një gol.
Ndërsa, qendërmbrojtësi Hajdin Salihu zhvilloi 1 mijë e 575 minuta në 20 paraqitje këtë sezon, ku para tij qëndroi vetëm Astrit Thaqi me 1 mijë e 800 minuta në fushë.
Drita mund të themi se e ka gjetur pasuesin e Salihut, pasi ka kompletuar blerjen e Egzon Bejtullait nga rivali Gjilani derisa do ta kenë të vështirë të gjejnë pasuesin e Jasharit, që vlerësohet shpesh si mesfushori më i mirë në kampionatin vendor.