Mourinho në shënjestër të Portugalisë, Roma e bën të qartë kërkesën e saj
Josè Mourinho është trajneri më i përfolur për të qenë pasardhësi i Fernando Santos te Portugalia. Roma nuk duket se është e gatshme për ta liruar. Nëse vjen në pyetje ndonjë tjetër skenar, do të kërkohet që të paguhet klauzola e kontratës së tij.
Fernando Santos para dy ditësh u pushua nga pozita e përzgjedhësit të Portugalisë pas një cikli të suksesshëm tetëvjeçar.
Ndërkohë federata portugeze është duke i bërë përpjekjet e veta për ta gjetur zëvendësuesin ideal. Mourinho është më i dëshiruari nga tifozët portugezë dhe si rrjedhojë edhe ai që po dëshirohet më së shumti.
Megjithatë, “Gazzetta Dello Sport” në numrin e sotëm shkruan se Roma nuk e ka ndër mend që të privohet nga trajneri portugez. Ai ka kontratë të vlefshme me klubin italian deri më 2024.
Roma është duke bërë çmos që ta sigurojë pozitën e katërt tabelore, për t’u kthyer kështu që të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve nga edicioni i ardhshëm. Për momentin ekipi i drejtuar nga Mourinho është tre pikë larg zonës që shpie në kompeticionin më të madh evropian.

Gjithnjë sipas gazetës italiane që thirret në burime të afërta me klubin, drejtuesit italianë nuk dëshirojnë që ta bëjnë qoftë edhe një kompromis, ku do t’ia lejonin trajnerit të tyre që t’i mbante dy pozita në të njëjtën kohë, si atë të trajnerit të klubit dhe si atë të përzgjedhësit të kombëtares.
Kërkesa e Romës
Në rast se gjërat do të shkonin deri në një pikë kur vullneti i trajnerit do të ishte që të merrte një aventurë të re, drejt bankinës të Portugalisë, atëherë Roma do të këmbëngulë që të inkasojë nga federata portugeze shumën e klauzolës të kontratës.
Mourinho përfiton 8 milionë euro në vit si pagë vjetore. Aktualisht ai është duke e përgatitur skuadrën për pjesën pranverore të sezonit.
Gjatë këtyre ditëve është dukur krejtësisht i përqendruar në ekipin e Romës, duke mos lënë të nënkuptohet se është tundur nga ideja për të qenë përzgjedhës i Portugalisë.

Para më pak se një muaji, Mourinho ishte pyetur nëse do të kishte pasur dëshirë që një ditë ta drejtonte kombëtaren e vendit të tij.
“Në të ardhmen ndoshta do ta marr në konsideratë idenë që të jem përzgjedhës, por tani nuk më intereson”, thoshte ai.

Gjithçka do të sqarohet më shumë në muajin qershor të vitit të ardhshëm, kur Mourinho zyrtarisht do të hyjë në vitin e fundit të kontratës.
Viti i tij i fundit i kontratës me Romën përkon edhe me fillimin e Kampionatit Evropian. Pra, deri në verë duhet të përcaktohet nëse sheh që ekzistojnë predispozitat për ta vazhduar bashkëpunimin me klubin italian apo ta fillojë një rrugëtim ndryshe – pse jo edhe në drejtimin e kombëtares të Portugalisë.

