Morgan: Ronaldo më tha se ishte pishman që u kthye te Manchester United
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, e ka pranuar se është penduar për kthimin e tij te Manchester Unitedit, sipas gazetarit, Piers Morgan, që e intervistoi disa ditë më parë.
Gazetari britanik thotë se folën gjatë muajit prill për klubin, dhe ishte kjo kohë kur Ronaldo ia shprehi atij pendesën, duke thënë se ka dëgjuar zemrën.

Ronaldo ka dominuar titujt e lajmeve këtë javë pas një interviste të transmetuar me Morgan në të cilën ai sulmoi Manchester Unitedin dhe elementët përreth klubit. Sulmuesi portugez iu bashkua Djajve të Kuq pak më shumë se një vit më parë, por Morgan tha se sulmuesi u pendua për atë vendim, duke ia thënë këtë në një telefonatë në prill të këtij viti.

Në një rubrikë për The Times, Morgan kujtoi bisedën e tij në pranverë me Ronaldon, duke shkruar: "Rikthimi i tij i ëndrrave vetëm tetë muaj më parë ishte kthyer në një makth dhe për një orë, ai artikuloi me pasion të gjitha problemet që mendonte se ishin pas rënies së klubit nga kampionët e përhershëm nën urdhrat e Sir Alex Ferguson, në mediokritet të poshtër.
"'Nuk mund të vazhdoj të injoroj atë që po ndodh brenda klubit tani," më tha ai. "Është kaq amatore. Asnjë qëllim i përcaktuar, pa lidership, asnjë organizim, vetëm një shkretëtirë idesh. E ardhmja është shumë e errët nëse gjërat nuk ndryshojnë shumë shpejt'. E pyeta nëse i vinte keq që u kthye dhe ai psherëtiu: "Ndoshta zemra ime foli më fort se arsyeja’".

Këto zbulime i shtojnë një shtresë tjetër intervistës shpërthyese të Ronaldos, e cila u transmetua në fillim të kësaj jave. Gjatë bisedës 90-minutëshe, portugezi vuri në shënjestër trajnerin aktual Erik ten Hag, ish-shefin e përkohshëm Ralf Rangnick, si dhe ish-shokët e skuadrës Gary Neville dhe Wayne Rooney.
Sulmuesi 37-vjeçar po përgatitet për ndeshjen e parë të skuadrës së tij në Kupën e Botës, ndërsa Portugalia përballet me Ganën të enjten. Mbetet për t'u parë nëse ai do të kthehet apo jo te Unitedi pas turneut.
Përcill zhvillimet dhe artikujt e fundit nga botërori duke klikuar KËTU!

