Monaco e ndal PSG-në, Napoli merr një barazim te Fiorentina
PSG nuk ka arritur të arkëtojë më shumë se një pikë në shtëpi ndaj Monacos (1:1), derisa Napoli gjithashtu ka marrë një barazim në udhëtim te Fiorentina.
"Parisienët" zhvilluan lojë të bukur me posedim të lartë ndaj Monacos, por që rezultati përfundimtar në "Parkun e Princave" rezultoi të jetë 1:1.
Vendasit nisën të rrezikojnë nga minutat e parë, mirëpo që ishin mysafirët që kaluan të parët në epërsi.
Sulmuesi Kevin Volland mori një pasim të shkëlqyer nga Aleksandr Golovin dhe arriti të realizojë në portën e Gianluigi Donnarumma për t'i dhënë epërsinë Monacos (20').
Pas golit të pësuar, PSG nisi të jetë më agresive duke krijuar shumë aksione, por që sulmuesit bënë huqje të mëdha siç ishte rasti i Kylian Mbappe.
Leo Messi me një goditje shumë të fuqishme nga distanca goditi shtyllën, derisa nga topi i kthyer Mbappe nuk arriti të realizojë në portën e zbrazur.
Në pjesën e dytë, PSG vazhdoi të jetë më dominuese dhe arritën ta barazojnë rezultatin përmes yllit brazilian Neymar, që ishte i saktë nga pika e bardhë.
Fillimisht, braziliani fitoi penallti duke u faulluar brenda zonës e pastaj ishte i saktë duke e konkretizuar në gol (69').
Kështu, PSG vazhdon të jetë i pamposhtur në Ligue 1 me 10 pikë të mbledhura, derisa Monaco ngritët në pozitën e 12-të me pesë sosh.
Nga ana tjetër, Napoli gjithashtu është ndalur në një barazim pa gola kundër Fiorentinas.
"Napolitanët" në fakt shënuan pas vetëm katër minutave lojë përmes Victor Osimhen, por që goli u anulua pastaj për pozitë jashtë loje.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani rrezikoi portën vendase me një goditje me kokë, por që shkoi mbi rrjetë (48').
Nga ana tjetër, Fiorentina gjithashtu kishte disa aksione të mira, por që nuk i finalizoi siç ishte goditja e Antonion Barak që dështoi nga afërsia (63').
Napoli me këtë barazim merr kreun me shtatë pikë të mbledhura pas tre xhirove, derisa Fiorentina renditët në pozitën e nëntë me pesë sosh.