MKRS licencon edhe tri Federata tjera, por jo edhe FFK-në
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka licencuar edhe tri federata të tjera sportive, të Basketbollit, Volejbollit dhe Atletikës.
Përmes një komunikate zyrtare në rrjetin social “Facebook”, MKRS njoftoi licencimin e tri federatave, por aty nuk gjendet ajo e futbollit të Kosovës.
FFK-së iu refuzua kërkesa e parë për aplikim, pasi shumë prej kushteve nuk i kishte plotësuar dhe i duhet tani shumë punë për t'i rregulluar problemet e brendshme për të aplikur sërish për licencim.
Postimi i plotë pa ndërhyrje i MKRS-së:
“Licencohen Federata e Basketbollit, e Volejbollit dhe e Atletikës
Në kuadër të licencimit të federatave sportive sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave, sot ministri i Sportit, Hajrulla Çeku së bashku me zëvendësministren Daulina Osmani, pritën në takim udhëheqësit e këtyre tri federatave.
Kësaj radhe, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, ministri Çeku i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar zyrtarisht licencën për ushtrimin e veprimtarisë kryetarit të Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, kryetarit të Federatës së Volejbollit, Bahri Gjinovci, dhe kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani.
Përgëzime dhe suksese për të tri federatat në veprimtarinë e tyre sportive”, shkruhet në komunikatë.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) vazhdon të mos jetë e licencuar, derisa t’iu plotësohen të gjitha kushtet që iu ka kërkuar MKRS-ja.
Në fakt, FFK iu ka premtuar klubeve se licencimi kryhet brenda javës. Ish presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi para disa orëve për Nacionalen deklaroi: “Po, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Dibranin. Na kanë premtuar takimin, por pastaj na njoftuan se s’ka nevojë pasi licencimi kryhet sot ose nesër. Prandaj nëse licencimi dhe ligji për sponsorizim kryhet brenda 48 orëve, atëherë ne jemi të kënaqur, pasi pa sponsorizim do të ishte vërtetë situatë shqetësuese”.
