MKRS i jep 1.3 milionë euro për punimet në stadiumin 'Fadil Vokrri', thonë se punimet përfundojnë pas gjashtë muajve
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e udhëhequr nga ministri, Hajrulla Çeku, pritet që sot të nënshkruajë një kontratë në vlerë prej 1.3 milionë euro investim në sistemin e ri të fushës në stadiumin Fadil Vokrri, dhe thuhet se punimet do të përfundojnë brenda gjashtë muajve, që i bie se do të jetë gati për ndeshjet garuese të Kombëtares së Kosovës.
Siç thuhet në prezantim të projektit në E-prokurim, kjo do të bëhet në përputhje me rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë.
Tenderi në fjalë për punime në sistemin e ri të stadiumit është bërë me procedurë negocimi, pa njoftuar paraprakisht për kontratë, ku punët do të kryhen nga një grup operatorësh ekonomik nga Turqia me emër: HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.

Kombëtarja e Kosovës e fillon kampanjën garuese në muajin shtator, saktësisht në Ligën e Kombeve me ndeshjen si vendas ndaj Rumanisë dhe sipas njoftimit në E-prokurim punët do të përfundojnë brenda gjashtë muajve, që i bie se do të jetë në kohë për ndeshjet.
Kontrata te grupi i operatorëve ekonomik është dhënë më 14 mars me afat për t'u kryer puna deri në shtator.
“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, u tha në përshkrimin e kontratës së dhënë nga MKRS.