Mitaj: I dimë cilësitë e Kroacisë, e kemi harruar humbjen ndaj Italisë
Mbrojtësi Mario Mitaj thotë se e kanë harruar humbjen ndaj Italisë, ndërsa tani tërë fokusi është te Kroacia.
Shqipëria e nisi me humbje ciklin e Evropianit duke pësuar humbje 2:1 kundër Italisë, derisa tani e pret një përballje tjetër e vështirë – kundër Kroacisë.
Në konferencë për shtyp, Mitaj ka deklaruar se tani e kanë harruar humbjen dhe që fokusi është te Kroacia.
“Ka kaluar ndeshja me Italinë, e kemi harruar mërzinë që kishim që nuk morëm pikën që deshëm. Po përgatitemi, po analizojmë kundërshtarin. Do të futemi me të njëjtin personalitet dhe shpresojmë të shkojmë më mirë dhe të marrim një pikë”.
“Nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët. Grupi është i vdekjes, gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë. Kroacia mund të dalë e para, nuk i dihet. Do të dalim në fushë dhe do të luftojmë sa më fort për të marrë një rezultat të mirë”.
Ndër të tjera, ai shtoi se kroatët janë shumë të fortë në të gjitha repartet, sidomos në mbrojtje.
“Ne po përgatitemi dhe kemi analizuar shumë mirë Kroacinë. Duhet të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Tani na intereson vetëm Kroacia. Shpresojmë të marrim rezultat sa më të mirë dhe më pas i kthehemi ndeshjes me Spanjë”.
“I dimë cilësitë e Kroacisë, e dimë sa e fortë është. Sot do të analizojmë më shumë taktikisht si do të futemi në fushë. Kroacia të gjitha repartet i ka të forta. Besoj se mbrojtjen e ka të fortë”.