Ministria e Sportit i kërkon Agim Ademit dorëheqje të menjëhershme dhe të detyrueshme si kryetar i FFK-së - NACIONALE

Ministria e Sportit i kërkon Agim Ademit dorëheqje të menjëhershme dhe të detyrueshme si kryetar i FFK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive i Ministrisë së Sportit i ka kërkuar Agim Ademit të japë dorëheqje të menjëhershme ose të shkarkohet nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak se është duke u gjykuar për vepër penale.

Ademi është duke u rigjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Komisioni i Ministrisë së Sportit ka refuzuar deri tani t’ia japë licencën FFK-së për shkak se ajo nuk i plotëson disa kushte të rëndësishme, ndër to është edhe çështja e kryetarit.

Ademi është në rigjykim që prej vitit 2019, pothuajse tërë mandatin e parë dhe tani dhe një vit brenda mandatit të dytë. Kodi Disiplinor i FIFA-s, neni 71, e ndalon një gjë të tillë.

“Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive kërkon që Agim Ademi me efekt të menjëhershëm dhe përmes shkresës zyrtare ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e Kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore”, thuhet në letrën e Komisionit Vlerësues dërguar Ademit.

Komisioni i ka bërë thirrje Komitetit Ekzekutiv, organit më të lartë të FFK-së, ta shkarkojë Ademin nëse ai nuk largohet vullnetarisht.

“Në rast që një gjë e tillë refuzohet nga Ademi, KVLFS kërkon nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që me vendim zyrtar ta pezullojë Agim Ademin nga detyra e Kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore për vepër penale dhe për këtë ta njoftojë me shkrim KVLFS-në në afatin më të shkurtër kohor”, i ka kërkuar Komisioni i MKRS-së Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Lajme të ngjashme