Milot Rashica paralajmëron Luganon: Erdhëm këtu për fitore
Sulmuesi kosovar Milot Rashica i ka bërë me dije Luganos se Besiktas kërkon vetëm fitore, për t’iu afruar kualifikimit në Ligën e Evropës.
Besiktasin e pret përballja me skuadrën zvicerane në play-offin e Ligës së Evropës, me synimin që të hynë në fazën e grupeve dhe mos të bien në Ligën e Konferencës.
Në konferencë për shtyp foli Rashica, i cili konfirmoi se kanë udhëtuar vetëm për fitore.
“E kemi nisur sezonin mirë. Jemi gati dhe kemi ardhur këtu për fitore. Jemi në dijeni se kemi një kundërshtar të mirë, por shumë gjëra kanë ndryshuar tek ne. Kemi lojtarë të rinj dhe trajner të ri. Gjithashtu që atëherë kemi fituar dy kupa”.
I pyetur nëse bari artificial mund të jetë disavantazh, Rashica shtoi: “Ndoshta do të jetë, por duhet të mësohemi. Kuptohet është ndryshe nga bari normal, por do të bëjmë më të mirën që nga fillimi i ndeshjes”.
Rashica e ka nisur për mrekulli këtë sezon te Besiktasi, ku përpos që fituan Superkupën e Turqisë edhe asistoi dy herë në përballjen e fundit në ligë.
Ndërkohë, ndeshja mes Luganos e Besiktasit do të nis me fillim nga ora 20:30.